Tentoi një grusht shteti 45 vite më parë në Spanjë, shuhet Antonio Tejero Molina

Ndarja e tij nga jeta ndodh në të njëjtën ditë që qeveria spanjolle deklasifikoi pas 45 vitesh dokumentet mbi grushtin e shtetit.

Burimi: TGCom

25.02.2026. 22:53

Tentoi një grusht shteti 45 vite më parë në Spanjë, shuhet Antonio Tejero Molina

Ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare Antonio Tejero Molina, figura kryesore e grushtit të dështuar të shtetit në Spanjë më 23 shkurt 1981.

Lajmin e bëri të ditur avokati i familjes, Luis Felipe Utrera Molina, përmes një mesazhi të dërguar nga njëri nga fëmijët e Tejeros, i cili tha se babai i tij u nda nga jeta në praninë e të gjithë njerëzve të dashur.

Antonio Tejero Molina ishte një ish-oficer i Guardia Civil dhe emër kyç i tentativës për grusht shteti të njohur si “23-F”. Ai hyri në Parlament së bashku me një grup ushtarësh gjatë votimit të besimit për kryeministrin Leopoldo Calvo-Sotelo, vetëm gjashtë vjet pas përfundimit të diktaturës së gjeneralit Franco dhe ndërkohë që Spanja po ndërtonte demokracinë e saj.

I njohur për imazhin me kapelen e Guardia Civil dhe armën në dorë brenda Kongresit spanjoll, Tejero u bë simboli i përpjekjes për të penguar kalimin e vendit në rrugën demokratike.

Pas dështimit të grushtit të shtetit, ai u përjashtua nga Guardia Civil dhe u lirua me kusht më 3 dhjetor 1996. Në vitet e mëvonshme, Tejero u shndërrua në figurë simbolike për krahun e djathtë nostalgjik në Spanjë.

Me vdekjen e tij, ai ishte i fundit nga tre të burgosurit kryesorë të “23-F” që mbijetuan, ndërsa gjeneralët tjerë Jaime Milans del Bosch dhe Alfonso Armada kishin ndërruar jetë përkatësisht në 1997 dhe 2013.

Ndarja e tij nga jeta ndodh në të njëjtën ditë që qeveria spanjolle deklasifikoi pas 45 vitesh dokumentet mbi grushtin e shtetit, duke rikthyer vëmendjen mbi një nga episodet më dramatike të tranzicionit demokratik spanjoll.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)