Pas ngjarjes në Itali, ku djaloshi 2-vjeçar i quajtur Domenico humbi jetën vetëm 60 ditë pas transplantit të zemrës së dëmtuar, zbardhen detaje të reja nga tragjedia. Në qendër të hetimeve janë procedurat e ndjekura gjatë marrjes së zemrës së re në spitalin “San Maurizio” të Bolzano-s, si edhe mënyra e ruajtjes së organit para transportit drejt Napolit.
Sipas mediave italiane, më 23 dhjetor në sallën e operacionit ka pasur tension mes ekipit të spitalit “Monaldi” të Napolit, që kishte shkuar për të marrë zemrën dhe mjekëve austriakë nga Innsbruck, të cilët po kryenin njëkohësisht heqjen e mëlçisë dhe veshkave. Mjekët austriakë dyshohet se kanë vënë re parregullsi gjatë ndërhyrjes në zemër, ndërsa një kirurg ka ndërhyrë për të korrigjuar situatën, duke shkaktuar momente të forta tensioni.
Prokuroria e Napolit ka hapur hetim për “vrasje nga pakujdesia në fushën mjekësore”. Aktualisht janë shtatë persona nën hetim, të gjithë pjesë e ekipit të spitalit “Monaldi”. Një raport i dërguar më 18 shkurt në Ministrinë e Shëndetësisë nga autoritetet e Bolzanos konfirmon se në sallë ka pasur momente kritike gjatë procedurës.
Një nga pikat kyçe të hetimit është koha e marrjes së organit: nga prerja e parë në orën 09:43 deri në heqjen e zemrës në orën 11:25 kanë kaluar 102 minuta. Hetuesit po verifikojnë nëse dëmtimi i organit mund të ketë ndodhur gjatë kësaj periudhe, para transportit.
Një tjetër element i rëndësishëm është mënyra e ruajtjes së zemrës. Organi është vendosur në një enë plastike të siguruar nga spitali i Bolzano-s, ndërsa për ftohje dyshohet se është përdorur akull i thatë, i cili arrin temperatura deri në -80 gradë Celsius. Sipas protokolleve mjekësore, zemra për transplant duhet të ruhet në temperaturë nga 0 deri në 4 gradë celsius. Hetimet po fokusohen në faktin se kush vendosi përdorimin e akullit të thatë dhe nëse janë marrë masa për të verifikuar përshtatshmërinë e tij.
Tashmë mbetet për t’u përcaktuar nga ekspertizat nëse zemra është dëmtuar gjatë procedurës së heqjes apo në fazën e ruajtjes dhe transportit. Kjo çështje ka marrë përmasa të mëdha mjekësore dhe ligjore në Itali.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)