Edhe BE-ja goditet nga Irani, sulmohet me dron ‘Shahed’ baza britanike në Qipro

Burime sigurie thanë se droni Shahed që goditi bazën britanike ka shumë të ngjarë që të jetë nisur nga Libani, nga një bazë e Hezbollahut.

Burimi: Protothema

02.03.2026. 10:54

Edhe BE-ja goditet nga Irani, sulmohet me dron ‘Shahed’ baza britanike në Qipro

Një dron iranian “Shahed” ka goditur në orët e para të mëngjesit bazën britanike në Qipro, RAF Akrotiri. Mbretëria e Bashkuar njoftoi se sulmi me dron kishte në shënjestër pistën, ndërsa më herët ishin larguar prej bazës familjet si një masë paraprake për forcimin e masave të sigurisë.

Sipas Protothema.gr përveç dronit që shpërtheu në pistën e bazës britanike, kishte edhe një dron të dytë që u interceptua. Burime sigurie thanë se droni Shahed që goditi bazën britanike ka shumë të ngjarë që të jetë nisur nga Libani, nga një bazë e Hezbollahut.

Pala britanike, nëpërmjet një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, konfirmoi se forcat e armatosura po reagonin ndaj një “sulmi të dyshuar me dron” në bazën RAF “në mesnatë sipas kohës lokale”, duke theksuar se nuk kishte viktima.

Duhet theksuar se dy bazat britanike në Qipro, sipas marrëveshjeve të vitit 1960, përbëjnë territor britanik dhe janë sovrane.

Nga ana qipriote, zëdhënësi i qeverisë Konstantinos Letymbiotis deklaroi se, bazuar në informacionin e marrë në nivele të ndryshme, “ishte një dron pa pilot dhe shkaktoi dëme të kufizuara”. Në të njëjtën kohë, u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare nën Presidentin Nikos Christodoulides për të vlerësuar situatën dhe rreziqet.

Në një mesazh të lëshuar të hënën në mëngjes, Presidenti qipriot sqaroi se droni  ishte një mjet ajror pa pilot i tipit ‘Shahed’ dhe se ai është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë udhëheqësit evropianë dhe udhëheqësit e shteteve të tjera në lidhje me zhvillimet.

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, duke folur në emisionin e mëngjesit të Sky News, iu referua përshkallëzimit në Lindjen e Mesme dhe deklaroi se qeveria britanike po bën gjithçka që është e mundur për të siguruar që qytetarët e saj që janë në rajonin e gjerë të kthehen "të sigurt dhe sa më shpejt të jetë e mundur".

Ajo tha se rreth 300,000 qytetarë britanikë ndodhen në vendet e Gjirit që tani janë në shënjestër të Iranit, përfshirë vendet ku hapësira ajrore është mbyllur për shkak të krizës.

“Ne po u themi qytetarëve se gjëja më e rëndësishme në këtë kohë është të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, të cilat në shumicën e rasteve janë të qëndrojnë në një vend të sigurt”, vuri në dukje ajo.

Duke iu referuar incidentit në bazën e Akrotiri, Cooper deklaroi se objektivi i sulmit ishte pista e fluturimit.

"Nuk jemi në gjendje të japim informacione ose detaje të mëtejshme në këtë fazë, por padyshim që po merren të gjitha masat paraprake rreth bazës", tha ajo.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit në Qipro ka dhënë udhëzime për të mbyllur të gjitha shkollat brenda kufijve të bazave Britanike për arsye sigurie.

Kujtohet se Hezbollahu e kishte kërcënuar në mënyrë të qartë Republikën e Qipros më 19 qershor 2024, kur Hassan Nasrallah i ndjerë, në një fjalim televiziv, paralajmëroi se Qiproja mund të konsiderohej pjesë e luftës në rast të një konflikti të përgjithësuar me Izraelin, nëse shteti anëtar i BE-së lejonte përdorimin e aeroporteve ose bazave për operacione kundër Libanit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)