Shuhet një figurë historike e politikës italiane, ndërron jetë Umberto Bossi

Italia humbi një nga figurat më të njohura dhe më të debatueshme të skenës politike, pasi themeluesi i Lega Nord, Umberto Bossi, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

19.03.2026. 21:40

Shuhet një figurë historike e politikës italiane, ndërron jetë Umberto Bossi

Italia humbi një nga figurat më të njohura dhe më të debatueshme të skenës politike, pasi themeluesi i Lega Nord, Umberto Bossi, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Ai ishte shtruar prej një dite në spitalin e Vareses, ku edhe mbylli jetën.

Bossi ishte një nga arkitektët kryesorë të politikës autonomiste në Itali, duke themeluar fillimisht Lega Lombarda dhe më pas Lega Nord, një lëvizje që ndryshoi balancat politike në vend. Ai shërbeu në disa poste të rëndësishme, si ministër, senator, deputet dhe eurodeputet, ndërsa për herë të parë u zgjodh në Senat në vitin 1987. Në vitin 2001 hyri në qeveri si ministër për reformat institucionale në kabinetin e Silvio Berlusconit.

Rruga e tij politike nisi në fund të viteve ’70, kur u njoh me lëvizjet autonomiste dhe federaliste në veri të Italisë. Në vitin 1984 themeloi Lega Autonomista Lombarda, që më vonë u shndërrua në një forcë politike me ndikim të gjerë në nivel kombëtar. Në vitet që pasuan, Bossi u bë një figurë kyçe në promovimin e federalizmit dhe në përfaqësimin e interesave të Italisë Veriore.

Një element i veçantë që e lidh emrin e tij me Shqipërinë është fakti se djali i tij, Renzo Bossi, vite më parë rezultonte i diplomuar në Universitetin “Kristal”, edhe pse nuk kishte qenë fizikisht në vendin tonë.

Vdekja e Bossit ka sjellë reagime të shumta në Itali. Politikanë të spektrave të ndryshëm kanë vlerësuar rolin e tij në historinë politike të vendit. Ish-kryetari i Parlamentit italian, Pier Ferdinando Casini, e cilësoi atë si “një luftëtar të palodhur” që ka lënë gjurmë në politikë. Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, theksoi se Bossi ishte një lider historik dhe mik i afërt i Silvio Berlusconit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)