Ish-ylli i WWE, Ted DiBiase Jr., përballet me akuza të rënda që mund ta çojnë për dekada pas hekurave, pasi prokurorët amerikanë pretendojnë se ai ka përdorur fonde të destinuara për ndihmë sociale për përfitime personale.
Sipas autoriteteve në shtetin e Mississippi-t, DiBiase Jr. dyshohet se ka përvetësuar miliona dollarë nga programe federale të ndihmës për shtresat në nevojë, duke i përdorur për të blerë pasuri luksoze. Mes tyre përfshihen një shtëpi me vlerë 1.4 milionë dollarë, një varkë prej 55 mijë dollarësh, një traktor dhe një kamion, me një vlerë totale rreth 1.5 milionë dollarë.
43-vjeçari, i cili ka qenë aktiv në WWE nga viti 2007 deri në 2013, akuzohet për pastrim parash, mashtrim financiar, vjedhje dhe komplot. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm në gjykatë.
Sipas hetimeve, fondet janë siguruar përmes kontratave fiktive dhe janë devijuar nga programe si Ndihma Emergjente Ushqimore dhe Ndihma e Përkohshme për Familjet në Nevojë. Autoritetet pretendojnë se mbi 77 milionë dollarë të destinuara për qytetarët më të varfër janë shpërdoruar në këtë skemë, e cilësuar si një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit publik në historinë e Mississippi-t.
Në këtë çështje janë përfshirë edhe emra të njohur, përfshirë babanë e tij, legjendën e WWE Ted DiBiase Sr., dhe ish-yllin e NFL, Brett Favre, të cilët kanë mohuar çdo përfshirje.
Nëse shpallet fajtor, DiBiase Jr. mund të përballet me deri në 20 vite burg për çdo akuzë mashtrimi, si dhe dënime të tjera shtesë për veprat e tjera penale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)