Përcaktohen çerekfinalet e Champions: Bayern, Liverpool e Atletico mes tetë më të mirave

Mbrëmja e goleadave plotësoi kuadrin e tetë skuadrave më të mira të kualifikuara në fazën tjetër të eventit më prestigjoz për klube.

18.03.2026. 23:11

Përcaktohen çerekfinalet e Champions: Bayern, Liverpool e Atletico mes tetë më të mirave

Liverpool, Bayern Munich dhe Atletico Madrid janë tetë skuadrat e fundit që u kualifikuan në çerekfinalet e Champions League, duke plotësuar kuadrin e dueleve në turin e ardhshëm të eventit më prestigjoz për klube.

Reds shkatërruan me rezultatin 4-0 Galatasaray-n, duke i dhënë fund ëndrrës së turqve. Szoboszlai i dha avantazhin anglezëve në pjesën e parë, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm, pas fitores së Galatasaray-t në ndeshjen e parë. Pas tij shënuan edhe Ekitike, Gravenberch dhe Salah, që vulosën “pokerin” fitues. Në “Anfield Road”, Liverpool humbi edhe një penallti, teksa iu anuluan edhe dy gola nga sistemi VAR.

Bayern kishte mbyllur çdo diskutim ndaj Atalantës, pas fitores 6-1 në ndeshjen e parë. Megjithatë gjermanët nuk u kursyen dhe fituan 4-1 në shtëpi. Dy gola nga Harry Kane dhe rrjetat e shënuara nga Karl dhe Diaz kompletuan festën e bavarezëve, ndërsa rrjeta e Samardzic ishte thjesht për statistikë për italianët.

Edhe Atletico Madrid festoi, pavarësisht humbjes 3-2 në fushën e Tottenham. Spanjollët u nisën nga avantazhi 5-2 i ndeshjes së parë dhe nuk lëshuan terren. Avantazhit të Spurs me Kolo Muani, ata iu përgjigjën me Julian Alvarez. Gol i dytë i vendasve me Xavi Simons, u barazua nga rrjeta e Hancko. Xavi Simons shënoi rrjetën e dytë personale, falë një penalltie në shtesë, duke i dhënë Tottenham një fitore që shërben vetëm për historikun e përballjeve.

Me këto rezultate, u përcaktua edhe kuadri i çerekfinaleve të Champions, me tetë skuadrat më të mira të Europës për këtë edicion. Liverpool gjen në rrugën e tij kampionët e PSG, Bayern do të ketë supersfidën me Real Madrid. Barcelona dhe Atletico Madrid do të luajnë në derbin spanjoll, teksa Sportingu do të kërkojë surprizën ndaj Arsenal.

Foto: Newsmax Balkans

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)