Kërkesa të mëdha nga tifozët shqiptarë për të siguruar një biletë në Varshavë për të ndjekur nga afër ndeshjen play-off mes Polonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për rrugëtimin drejt kampionatit botëror 2026.
Sipas të dhënave më të fundit, vetëm 48 orë nga nisja e aplikimeve për bileta, më shumë se 5 mijë kërkesa janë regjistruar në platformë për të qenë pjesë e këtij eventi kaq të rëndësishëm sportiv. Ndërkohë që në dispozicion të tifozëve shqiptarë do të jenë vetëm 3000 ulëse në stadiumin e Varshavës.
Secili nga aplikuesit ka të drejtë të kërkojë dy bileta për ndeshjen e 26 marsit, duke rritur ndjeshëm konkurrencën për një vend në tribunë.
Pas përfundimit të periudhës së aplikimit, sistemi do të përzgjedhë në mënyrë rastësore aplikantët fitues.
Tifozët që do të përzgjidhen do të njoftohen përmes email-it dhe do të marrin një link të personalizuar për të përfunduar pagesën e biletave brenda 24 orëve. Pas pagesës, ata do të marrin linkun përkatës për të aksesuar biletat e tyre.
Biletat do të jenë të disponueshme për shkarkim në aplikacionin zyrtar “Mobilny System Biletoëy”, duke garantuar akses të sigurt dhe të shpejtë për ndeshjen historike të kuqezinjve në Varshavë.
Në rast fitoreje ndaj Polonisë në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës, Shqipëria do të përballet në finalen play-off me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi për një vend në fazën e grupeve të Botërorit 2026 që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)