“Ejani! Provoni ta merrni”, Senegali sfidon Marokun pas vendimit për Kupën e Afrikës

Konfederata e Futbollit Afrikan njoftoi të martën në mbrëmje se Senegali po ndëshkohet për finalen e 18 janarit, pavarësisht se ka fituar 1-0. Sipas vendimit senegalezët e humbën finalen në tavolinë me rezultatin 3-0.

18.03.2026. 12:15

“Ejani! Provoni ta merrni”, Senegali sfidon Marokun pas vendimit për Kupën e Afrikës

Maroku, dy muaj pasi humbi finalen e Kupës së Afrikës në tokën e vetë, është kurorëzuar kampion i kontinentit. Sado e pabesueshme të duket, Konfederata Afrikane, në një vendim që do të hyjë në histori, ia hoqi Senegalit titullin dhe ia dha ekipit të Ayoub El Kaabi.

Konfederata e Futbollit Afrikan njoftoi të martën në mbrëmje se Senegali po ndëshkohet për finalen e 18 janarit, pavarësisht se ka fituar 1-0. Sipas vendimit senegalezët e humbën finalen në tavolinë me rezultatin 3-0. 

Vendimi u mor pas një apeli nga Federata Mbretërore Marokene, pasi senegalezët dolën nga fusha gjatë kohës së rregullt, duke protestuar ndaj një vendimi të arbitrit, përpara se me insistimin e Sadio Mane të riktheheshin duke e fituar ndeshjen me rezultatin 1-0 në kohën shtesë.

Loja u ndërpre për 16 minuta kur një penallti iu dha Marokut në fund të sfidës, pak pasi një gol që mund t'i kishte dhënë fitoren senegalezëve u anulua. Në atë kohë, vetëm kapiteni Sadio Mane mbeti në fushën e stadiumit në Rabat.

Sakaq, deklarata e lëshuar 57 ditë pas finales, vuri në dukje se "të gjitha kërkesat ose apelimet e tjera hidhen poshtë", me Komitetin e Apelit që vendosi përfundimisht në favor të skuadrës marokene.

Pas këtij vendimi ka pasur një lumë reagimesh në rrjetet sociale, ku lojtarët e kombëtares së Senegalit edhe i kanë sfiduar Marokenët, duke u bërë thirrje që të shkojnë dhe ta marrin trofeun në Dakar.

Fillimisht Federata Senegaleze e Futbollit lëshoi një deklaratë duke e cilësuar një "vendim të paprecedentë dhe të papranueshëm". Ajo postoi një video në mediat sociale që tregonte festimet me autobusin e hapur në kryeqytetin e Senegalit, pas finales.

Disa anëtarë të ekipit gjithashtu postuan reagimet e tyre në mediat sociale. Fillimisht, anësori i Crystal Palace, Ismail Sarr, postoi në Instagram disa emoji që qeshnin, ndërsa El Hadji Malik Diouf i West Ham shkroi: "Kampionë, flisni hapur!"

Moussa Nyakate i Lyonit postoi dy here në Instagram, ku në një prej fotove shkruante: "Ejani t'i merrni”, duke ju referuar medaljeve. “Janë të çmendur", vijonte shkrimi, ndërsa në postimin e dytë shkruan: "Kjo është e vërtetë, kjo nuk është inteligjencë artificiale", e shoqëruar nga një foto e tij me trofeun.

Portieri Yehwan Diouf ripostoi një foto të festimeve të Senegalit pas fitimit të trofeut, me mbishkrimin: "Para syve të të gjithë botës".

"Mund të shtoni edhe tre gola të tjerë në favor të atyre që ankohen", shkroi mesfushori i Rayo Vallecanos, Pate Sis, i shoqëruar nga një emoji që qesh dhe më pas: "Kampionë Afrikanë!"

Habib Diarra, i cili luan si mesfushor për Sunderland, gjithashtu ndau foto të tij me trofeun në rrjetet sociale dhe gjithashtu postoi një video të festimeve në Senegal pas fitimit të titullit.

Nga ana e tij, Idrissa Gueye dërgoi mesazhin e tij duke thënë: "Tituj, trofe, medalje... të gjitha këto janë të përkohshme. Ajo që ka vërtet rëndësi është që çdo tifoz të mund të kthehet në shtëpi dhe të gjejë familjen e tij. Populli senegalez ka treguar se çfarë është: dinjitoz në fitore, dinjitoz në provë. Ne e dimë se çfarë përjetuam atë natë në Rabat. Dhe askush nuk do të jetë në gjendje të na e heqë këtë, me vullnetin e Zotit".

Edhe kapiteni Sadio Mane shkroi në një story në Instagram se "bota i njeh kampionët e vërtetë".

Senegali po ashtu vendosi të mos heshtë dhe pasi u përhap lajmi se trofeu i AFCON do të shkonte zyrtarisht në Marok, apeluan në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, në një përpjekje për të përmbysur vendimin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)