Roma është tronditur nga një ngjarje që ngre alarmin për sulme terroriste dhe rritjen e klimës së tensionit në Itali. Dy persona, të cilët po përgatisnin një bombë artizanale, humbën jetën pas shpërthimit në një godinë të braktisur në Parkun e Akuedukteve të kryeqytetit. Viktimat janë identifikuar si Alessandro Mercogliano dhe Sara Ardizzone, të cilët dyshohet se po manipulonin një mjet shpërthyes me potencial të lartë në momentin e incidentit. Sipas mediave italiane, të dy personat lidhen me lëvizjen anarkiste pranë Alfredo Cospito, aktivisti që aktualisht ndodhet në burgun e Sassarit.
Shkak i shpërthimit dyshohet të ketë qenë përgatitja e një atentati, me qëllime që mund të përfshinin infrastrukturën hekurudhore pranë godinës, disa objekte të grupit Leonardo, ose një aksion mbështetës për Cospito. Po shqyrtohet gjithashtu mundësia që shpërthimi të ketë qenë një veprim demonstrativ para marshit masiv të 28 marsit në Romë, i organizuar nën moton “Së bashku! Kundër mbretërve dhe luftërave të tyre”.
Prokuroria e Romës ka hapur menjëherë një hetim nën drejtimin e prokurorit të shtetit Giovanni Conzo dhe grupit të magjistratëve që trajtojnë çështjet e terrorizmit. Deri më tani nuk ka të dyshuar zyrtarë, ndërsa autopsia e trupave do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes. Një nga viktimat kishte djegie të shumta në krah, sipas raportimeve paraprake.
Shpërthimi u raportua fillimisht nga një vrapues, që kalonte pranë vendit të ngjarjes mëngjesin e së premtes, por banorët e zonës thanë se kanë dëgjuar një zhurmë të fortë gjatë natës. Në vendngjarje mbërritën menjëherë Policia, Shërbimi i Zjarrfikësve, Ekspertët e Shkencave Forenzike dhe Policia Lokale e Romës për të nisur hetimet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)