Një ngjarje e rëndë është shënuar në Castelguglielmo, në provincën e Rovigo në Itali, ku trupat e një gruaje dhe një fëmije rreth një vjeç janë gjetur në një liqen artificial.
Sipas informacioneve paraprake, trupat janë zbuluar nga një kalimtar i rastësishëm, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet. Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e trupave nga uji. Gjithashtu, në operacion morën pjesë karabinierët dhe njësia e zhytësve.
Në vendin e ngjarjes shkuan edhe prokurori i çështjes dhe mjeku ligjor, i cili kreu një ekzaminim të parë të trupave. Deri më tani, hetimet janë në fazë fillestare dhe nuk përjashtohet asnjë pistë.
Nga të dhënat e para bëhet e ditur se në trupat e viktimave nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se gruaja ishte rreth 35-40 vjeç, ndërsa fëmija rreth 12 muajsh. Sipas burimeve, viktimat mendohet të jenë me origjinë aziatike, por identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)