Një situatë alarmante po përshkruhet në sektorin e aviacionit europian, ku furnizimi me karburant për avionë, veçanërisht me vajguri, po shfaq shenja të forta presioni. Sipas raportimeve të publikuara nga “Corriere della Sera” dhe të cituara nga burime ndërkombëtare, rezervat aktuale të karburantit mund të mjaftojnë vetëm deri në javët e para të mesit të majit.
Në këtë situatë, rrezikohen seriozisht fluturimet gjatë sezonit veror. Sipas të njëjtave burime, situata ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Vetëm dy shtete në Europë disponojnë rezerva emergjente për rreth 90 ditë, ndërsa Italia raportohet të ketë rezerva që zgjasin nga 30 deri në 60 ditë. Megjithatë, disa vende të tjera ndodhen në një situatë më të brishtë, me rezerva që mjaftojnë vetëm për 8 deri në 10 ditë.
Paralajmërimi thuhet se është bërë edhe nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve Europiane, në një letër të cituar nga “Financial Times”. Aty theksohet rreziku i një mungese “sistematike” të karburantit nëse situata në Ngushticën e Hormuzit nuk stabilizohet brenda disa javësh. Ky faktor konsiderohet kyç për furnizimet globale të energjisë dhe rrjedhimisht edhe për transportin ajror.
Përballë kësaj situate, në disa vende europiane kanë nisur diskutimet për masa emergjente, përfshirë përdorimin e rezervave strategjike dhe rishikimin e shpërndarjes së karburantit në aeroporte. Në disa aeroporte raportohet se prioritet po u jepet avionëve të linjave tregtare, ndërsa furnizimi për avionët privatë është kufizuar për të shmangur mungesat në fluturimet e rregullta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)