Banesa më e shtrenjtë në botë, miliarderi ukrainas blen apartament në Monaco për 471 milionë euro

Prona është rreth 2,500 metra katrorë, e shtrirë në pesë kate. Çmimi për metër katror arrin në rreth 188 mijë euro, një rekord absolut për tregun europian.

23.04.2026. 14:56

Banesa më e shtrenjtë në botë, miliarderi ukrainas blen apartament në Monaco për 471 milionë euro

Një nga blerjet më të bujshme të pasurive të paluajtshme në Europë është regjistruar së fundmi në Principatën e Monakos. Miliarderi ukrainas Rinat Akhmetov ka blerë apartamentin më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në histori, me një vlerë marramendëse prej 471 milionë eurosh.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Bloomberg”, apartamenti ndodhet në ndërtesën luksoze “Le Renzo”, pjesë e zonës së re elitare Mareterra. Bëhet fjalë për një lagje moderne të ndërtuar mbi tokë të fituar nga deti pas më shumë se një dekade punimesh dhe e inauguruar në vitin 2024 nga Princi Albert II.

Prona është rreth 2,500 metra katrorë, e shtrirë në pesë kate. Ajo përbëhet nga 21 dhoma, pamje direkte nga Deti Mesdhe dhe një pishinë private. Çmimi për metër katror arrin në rreth 188 mijë euro, një rekord absolut për tregun europian.

Kompania e Akhmetovit, “SCM” ka konfirmuar se investimi ka nisur që në vitin 2021, pa dhënë detaje për pronën specifike. Sipas raportimeve, kontrata është nënshkruar pak para pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, ndërsa transaksioni është finalizuar në vitin 2024.

Rinat Akhmetov ka lindur më 21 shtator 1966 në Donetsk, në një familje punëtore. Babai i tij, Leonid ishte minator, ndërsa nëna Njakija, punonte si shitëse. Në vitet e Bashkimit Sovjetik, Donetsku ofronte pak mundësi përveç industrisë së qymyrit dhe çelikut, por pas shpërbërjes, Akhmetov ndërtoi gradualisht perandorinë e tij financiare.

Sipas revistës Forbes, pasuria e tij vlerësohet në 6,67 miliardë euro, duke e renditur si njeriun më të pasur të Ukrainës. Ai ka deklaruar se pasurinë e ndërtoi përmes investimeve të rrezikshme në industrinë e rëndë post-sovjetike dhe më pas themeloi “System Capital Management” (SCM) në vitin 2000, duke u shndërruar në një nga figurat më të fuqishme të ekonomisë ukrainase.

Vitet e para të pasurimit të Akhmetovit mbeten ndër më të diskutuarat, pasi disa media ndërkombëtare e kanë lidhur atë me botën kriminale të Donbass-it në vitet ’90. Emri i tij është përmendur shpesh pranë figurës së Achat Brahin, ish-president i klubit Shakhtar Donetsk, i cili u vra në një atentat në vitin 1995. Megjithatë, Akhmetov ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me atë botë dhe ka fituar disa procese gjyqësore ndaj mediave që kanë publikuar akuza të tilla.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)