12 punonjës të spitalit universitar “Radboud University Medical Center” në Nijmegen të Holandës janë vendosur në karantinë për 6 javë, pas një gabimi në procedurat e sigurisë gjatë trajtimit të një pacienti të infektuar me hantavirus.
Sipas mediave holandeze, pacientit iu mor një mostër gjaku menjëherë pas shtrimit në spital, por analizat nuk u kryen sipas protokolleve të posaçme që kërkohen për raste me viruse të rrezikshme si hantavirusi. Në një deklaratë zyrtare, spitali pranoi se procedura standarde e përdorur nuk ishte e mjaftueshme për këtë rast.
Përveç kësaj, autoritetet spitalore zbuluan edhe shkelje në mënyrën e asgjësimit të urinës së pacientit. Sipas rregullave ndërkombëtare më të fundit, mbetjet biologjike të pacientëve me hantavirus duhet të trajtohen me masa shumë më të rrepta sigurie.
Megjithatë, spitali theksoi se rreziku që stafi të jetë infektuar mbetet “shumë i ulët”. Drejtuesit e qendrës shprehën keqardhje për incidentin dhe njoftuan se do të zhvillohet një hetim i detajuar për të kuptuar se si ndodhi ngjarja dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Hantavirusi është një virus i rrallë, por potencialisht i rrezikshëm, që mund të transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe në disa raste shkakton probleme serioze respiratore ose renale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)