Një incident që bëri bujë të madhe në mediat ndërkombëtare gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Vietnam, vijon të rikthehet në qendër të vëmendjes edhe një vit më pas.
Në maj të vitit 2025, kamerat filmuan momentin kur Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, mbërritën në Hanoi. Teksa dera e avionit presidencial u hap, pamjet treguan Zonjën e Parë duke e shtyrë me dorë presidentin francez në fytyrë, një gjest që në rrjetet sociale u interpretua si një shuplakë.
Në atë kohë, Pallati Elysee mohoi kategorikisht çdo konflikt mes çiftit presidencial, duke pretenduar fillimisht se videoja mund të ishte manipuluar me inteligjencë artificiale. Më pas, stafi i Macron sqaroi se bëhej fjalë për shaka dhe ngacmime të zakonshme mes çiftit.
Por së fundmi, një version tjetër i ngjarjes është publikuar nga gazetari francez Florian Tardif në librin e tij “Një çift (pothuajse) perfekt”, i publikuar këtë javë në Francë.
Sipas autorit, Emmanuel Macron dyshohet se ka pasur për disa muaj një “marrëdhënie platonike” me aktoren iraniane Golshifteh Farahani. Gazetari pretendon se informacioni i është konfirmuar nga persona pranë çiftit presidencial dhe se mesazhet e shkëmbyera mes presidentit francez dhe aktores kishin shkuar mjaft larg, duke përfshirë komplimente personale.
Tardif pretendon gjithashtu se tensionet mes Emmanuel dhe Brigitte Macron nisën pasi Zonja e Parë kishte parë një mesazh të aktores në telefonin e presidentit gjatë udhëtimit drejt Vietnamit. Sipas tij, kjo do të kishte shkaktuar debatin e ashpër në avion, i cili më pas u bë publik përmes pamjeve filmike.
Megjithatë, zyra e Brigitte Macron ka mohuar kategorikisht këtë version. Sipas mediave franceze, rrethi i afërt i Zonjës së Parë ka deklaruar se ajo nuk e kontrollon kurrë telefonin e bashkëshortit të saj dhe ka hedhur poshtë pretendimet e autorit.
Edhe vetë Emmanuel Macron reagoi menjëherë pas publikimit të videos vitin e kaluar, duke deklaruar se bëhej fjalë vetëm për një moment shakaje mes tij dhe bashkëshortes.
“Po bënim shaka me njëri-tjetrin, siç ndodh shpesh mes nesh”, ishte shprehur presidenti francez, duke kërkuar që “të gjithë të qetësohen” dhe të mos e ekzagjerojnë situatën.
Pavarësisht mohimeve zyrtare, libri i ri ka rikthyer debatin në Francë dhe ka ndezur sërish interesin e mediave për jetën private të çiftit presidencial.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)