“Bombë" tymi kundër grabitësve, pronari i argjendarisë zmbraps bandën dhe shpëton bizhuteritë

Tre persona të maskuar përdorën një automjet për të çarë hyrjen e “Bradford Jewellery” në West Yorkshire, ndërsa brenda ndodheshin punonjësit dhe klientët e parë të ditës, mes tyre edhe një familje me një foshnjë.

Burimi: Daily Mail

14.05.2026. 10:14

“Bombë" tymi kundër grabitësve, pronari i argjendarisë zmbraps bandën dhe shpëton bizhuteritë

Një tentativë grabitjeje në një argjendari në Bradford të Britanisë së Madhe përfundoi në dështim spektakolar, pasi stafi i dyqanit aktivizoi një sistem sigurie me tym që detyroi autorët të largoheshin pa marrë asgjë.

Tre persona të maskuar përdorën një automjet për të çarë hyrjen e “Bradford Jewellery” në West Yorkshire, ndërsa brenda ndodheshin punonjësit dhe klientët e parë të ditës, mes tyre edhe një familje me një foshnjë.

Sapo dëgjoi përplasjen e fortë, 36-vjeçari Saeed Adam aktivizoi menjëherë pajisjen e sigurisë “Fog Bandit”, e cila mbushi dyqanin me tym të dendur brenda pak sekondash. Situata krijoi panik, ndërsa klientët dhe stafi dolën me shpejtësi jashtë ambienteve.

Foto: X

Pamjet e filmuara nga dëshmitarët tregojnë momentin kur një prej grabitësve hyn në dyqan me një shkop metalik në dorë, por përballet me tymin që i pengoi të shihnin dhe të merrnin bizhuteritë e ekspozuara.

Sipas stafit, hajdutët lanë pas bizhuteri ari dhe argjendi me vlerë mbi 100 mijë paund, të vendosura në manekinë dhe vitrina. Autorët tentuan disa herë të futeshin më thellë në dyqan, por u detyruan të tërhiqeshin.

Nga sulmi janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, që llogariten deri në 10 mijë paund. Dyqani ka zhvendosur të gjithë stokun në kasaforta, ndërsa riparimet pritet të zgjasin rreth dy javë. Pronari ka vendosur gjithashtu të forcojë masat e sigurisë, duke rritur barrierat mbrojtëse dhe duke përmirësuar dyert e dritaret.

Foto: X

Policia e West Yorkshire konfirmoi se një person është arrestuar nën dyshimin për tentativë grabitjeje, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë vijojnë.

Ngjarja është pjesë e një serie grabitjesh të ngjashme ndaj argjendarive në Mbretërinë e Bashkuar, ku hajdutët përdorin automjete për të thyer hyrjet e dyqaneve dhe për të marrë bizhuteri me vlerë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)