Forcat ajrore izraelite ndërmorën sulme të reja ajrore në jug dhe lindje të Libanit, gjatë mbrëmjes së të hënës dhe orëve të para të së martës, duke goditur disa zona, përfshirë edhe qytetin e Sidonit, të tretin më të madh në vend. Një nga sulmet, rreth orës 01:00 të mëngjesit, shkatërroi plotësisht një ndërtesë tregtare trekatëshe në një zonë me punishte dhe servise mekanike, e cila rezultoi e pabanuar.
Sulmet ndodhën vetëm pak ditë përpara një takimi të rëndësishëm qeveritar, ku komandanti i ushtrisë libaneze pritet të informojë autoritetet mbi ecurinë e misionit për çarmatimin e Hezbollahut në zonat pranë kufirit me Izraelin. Presidenti libanez, Joseph Aoun, i dënoi sulmet, duke i cilësuar si në kundërshtim me përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve dhe me synimet e qeverisë për shtrirjen e autoritetit shtetëror në territore të kontrolluara prej vitesh nga Hezbollahut, shkruan Newsmax.
Sipas ushtrisë izraelite, objektivat e goditura ishin depo armësh dhe infrastrukturë e grupeve Hezbollah dhe Hamas, të cilat, sipas Izraelit, veprojnë nga zona civile. Ndërkohë, autoritetet libaneze raportuan se të paktën një person u dërgua në spital, ndërsa nuk ka njoftime për viktima.
Sulmet vijnë në një kontekst tensionesh të vazhdueshme, pavarësisht armëpushimit të arritur në nëntor 2024 pas një lufte 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut. Qeveria libaneze ka deklaruar se deri në fund të vitit 2025, të gjitha zonat në jug të lumit Litani do të jenë të pastruara nga prania e armatosur e Hezbollahut. Megjithatë, Izraeli vijon operacionet ajrore pothuajse çdo ditë, duke argumentuar se angazhimet për çarmatimin nuk janë përmbushur plotësisht.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)