Ushtria izraelite deklaroi të enjten se ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në disa zona të Libanit, duke sqaruar se këto veprime janë ndërmarrë si përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të armëpushimit nga ana e grupit militant shiit.
Sipas një deklarate zyrtare, objektivat e goditura lidhen me infrastrukturën dhe pozicionet ushtarake të Hezbollahut.
Pak para sulmeve, një zëdhënës i ushtrisë izraelite kishte lëshuar paralajmërime për banorët e disa ndërtesave në fshatin libanez Sohmor, duke iu kërkuar të largoheshin për arsye sigurie. Autoritetet libaneze nuk kanë raportuar për viktima, ndërsa situata në zonat e prekura mbetet e tensionuar.
Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi në vitin 2024, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund më shumë se një viti përplasje të ashpra.
Konflikti kishte kulmuar me sulme intensive izraelite që, sipas vlerësimeve, e dobësuan ndjeshëm grupin e mbështetur nga Irani.Megjithatë, pas armëpushimit, palët kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza për shkelje të marrëveshjes.
Ndërkohë, Libani po përballet me presion të shtuar nga SHBA-të dhe Izraeli për të çarmatosur Hezbollahun.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)