Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ka deklaruar se për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni duhet të heqë dorë nga “kërkesat e tepërta” pas bisedimeve në Gjenevë. Gjatë bisedës telefonike me përfaqësuesin më të lartë të diplomacisë egjiptiane, Badr Abdelatty ai theksoi se “suksesi kërkon seriozitet dhe realizëm nga pala tjetër, duke shmangur çdo gabim llogaritjeje dhe kërkesa të ekzagjeruara”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar stafin jo të domosdoshëm të ambasadës së tyre në Jerusalem që të largohet nga Izraeli. Sipas raportimit të “New York Times”, vendimi ka ardhur pas shqetësimeve për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit. Ambasadori Mike Huckabee u tha punonjësve se kush do të largohej nga Izraeli, duhet ta bënte menjëherë.
Departamenti i Shtetit paralajmëroi se ambasada mund të kufizojë ose ndalojë lëvizjen e stafit dhe familjarëve të tyre në zona të caktuara të Izraelit, duke përfshirë Qytetin e Vjetër të Jerusalemit dhe Bregun Perëndimor. Sipas një njoftimi zyrtar, SHBA këshillon punonjësit jo të domosdoshëm të marrin parasysh largimin “deri sa të jenë të disponueshme fluturime komerciale”.
Në Shtetet e Bashkuara, ish-presidenti Donald Trump po shqyrton mundësitë e veprimit, por sipas zv.presidentit JD Vance, nuk ka gjasa që Amerika të përfshihet në një luftë të gjatë në Lindjen e Mesme. Vance shtoi se preferohet zgjidhja diplomatike, por gjithçka varet nga veprimet dhe qëndrimi i Iranit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)