Ka një vëzhgues që po ndjek me interes vendosjen ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe ajo është Kina. Pekini është i pranishëm në këtë krizë nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me inteligjencën iraniane, por edhe nëpërmjet përdorimit të burimeve të hapura.
Pothuajse çdo ditë, kompania kineze MizarVision publikon në platformën ‘X’ imazhe të anijeve dhe avionëve amerikanë të vendosur në Lindjen e Mesme, duke ofruar mbikëqyrje të saktë të asaj që po ndodh.
Fotot satelitore kanë gjurmuar aeroplanmbajtësen USS Gerald Ford, mbërritjen e avionëve F-22 në Ovda të Izraelit, transferimin e avionëve cisternë në atolin Diego Garcia, në Oqeanin Indian, dhe praninë e avionëve në Arabinë Saudite. Një hartëzim i plotë i mobilizimit gjigant të vendosur nga Pentagoni. Kjo punë përfaqëson një alternativë ndaj asaj që kryhet zakonisht nga kompanitë dhe vëzhguesit perëndimorë të cilët ofrojnë përditësime të vazhdueshme mbi vendosjen e luftëtarëve, organizimin e kundërmasave dhe rrjedhën e furnizimeve.
Një "gjurmues" i tillë numëroi gati 300 fluturime logjistike që transportonin materiale dhe sisteme anti-raketash. Kinezët megjithatë janë shumë të kujdesshëm dhe kjo ndodh për disa arsye. Ata po analizojnë taktikat amerikane dhe po mësojnë teknikat për misione me rreze të gjatë veprimi, kjo pasi veprimi në Gjirin Persik kërkon një numër të madh anijesh, ngarkesash, njësive amfibe, mbështetjeje dhe instalime.
Në rast të një konflikti, ata do të vlerësojnë shpenzimin e municioneve, veçanërisht armëve anti-raketore dhe anti-dronë, e po ashtu do të analizojnë manovrat dhe karakteristikat e armëve të përdorura. Për më tepër, ata po shqyrtojnë implikimet e mundshme për dosjen e Tajvanit. Së fundmi, imazhet satelitore mund t'u japin një dorë ndihmë Gardës Revolucionare të Iranit, e cila për javë të tëra është alarmuar nga presioni i Uashingtonit, por edhe janë shqetësuar apo hutuar nga devijimet e mundshme.
Aktiviteti "publik" dhe madje edhe propagandistik i Pekinit vjen pas bashkëpunimit të tij të ngushtë me Republikën Islamike. Kinezët furnizojnë makineritë e nevojshme për të prodhuar lëndë shtytëse për raketat tokë-tokë të përdorura nga Garda Revolucionare dhe gjithashtu u kanë shitur teknologji dhe pajisje të tjera lufte.
Sipas disa burimeve, Teherani, pas Luftës 12-ditore, i kërkoi superfuqisë lindore mbështetje më të madhe, një përpjekje për të mbushur boshllëkun në mbrojtjen e saj, të cilin SHBA-ja dhe Izraeli e depërtuan lehtësisht . Zyrtarët e inteligjencës së Pekinit, veçanërisht ata nga Zyra 9, u përqendruan në boshllëqet në sigurinë iraniane dhe në veçanti në aftësinë e Mossadit për të kryer ndërhyrje prapa vijës së sulmit, duke eliminuar objektiva me vlerë të lartë si shkencëtarë dhe gjeneralë, por edhe duke kryer sulme përmes përdorimit të agjentëve vendas të pajisur me armë të modifikuara.
Disa studiues, ish-anëtarë të ushtrisë kineze, kanë shprehur gjykime të ashpra bazuar në atë që kanë parë. Dhe ka të ngjarë që ata i kanë dhënë këshilla Iranit se si t'i kundërvihet kërcënimit të brendshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)