Agjencia e lajmeve Reuters dhe mediat izraelite, duke cituar dy zyrtarë të lartë izraelitë, raportojnë se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është vrarë gjatë sulmeve të koordinuara izraelito-amerikane.
Një nga burimet i tha mediave izraelite se Izraeli kishte siguruar një foto të trupit të pajetë të Ajatollah Ali Khameneit. Sipas tyre kjo foto është shkrepur në momentin e nxjerrjes së trupit të Khameneit nga kompleksi i tij në Teheran dhe i është treguar Benjamin Netanjahut dhe Donald Trump, ndërsa burimi i dytë tha se po përgatitet një njoftim zyrtar për rastin.
Sipas The Times of Israel, që i referohet një burimi të njohur me çështjen, ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, i informoi zyrtarët amerikanë se IDF kishte arritur të vriste Khamenein.
Kujtojmë se më herët gjatë mbrëmjes, me një video-mesazh kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se ka shenja të shumta që tregojnë se Khamenei "nuk është më me ne".
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga Teherani, me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi që i tha NBC News disa orë më parë se për aq sa ai dinte Udhëheqësi Suprem i Iranit, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë, mbeten në gjendje të mirë shëndetësore.
Por Khamenei nuk është parë në publik ose në ndonjë videomesazh që nga fillimi i sulmeve mëngjesin e së shtunës.
Sakaq, në disa lagje në Teheran ka nisur festa për vdekjen e liderit të regjimit. BBC duke ju referuar burimeve nga kryeqyteti iranian, raportojnë se në lagje të ndryshme në Teheran, njerëzit po brohorasin dhe festojnë duke u rëndë borive dhe brohoritur.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)