Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të shtunën se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka vdekur pas një vale sulmesh të përbashkëta ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump e cilësoi Khamenein si “një nga njerëzit më të këqij në histori”, duke e konsideruar vrasjen e tij si akt drejtësie.
“Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për njerëzit nga shumë vende të botës, që janë vrarë apo gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e etur për gjak,” shkroi Trump, duke shtuar se edhe drejtues të tjerë të regjimit iranian janë eliminuar.
Njoftimi erdhi pasi burime izraelite raportuan më herët gjatë ditës se Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë kishin humbur jetën, megjithatë deri tani nuk është publikuar asnjë provë zyrtare që ta konfirmojë këtë.
Në reagimin e tij, Trump u bëri thirrje qytetarëve iranianë që të rrëzojnë regjimin aktual, duke e cilësuar momentin si “mundësia më e madhe e vetme për popullin iranian për të rimarrë vendin e tyre”.
Sulmi i së shtunës erdhi pasi administrata amerikane arriti në përfundimin se negociatat me udhëheqësit iranianë kishin ngecur dhe se Teherani nuk kishte gjasa të pranonte kërkesën e SHBA-së për të hequr dorë nga çdo përpjekje për sigurimin e armës bërthamore.
Presidenti amerikan nuk ka paraqitur ende një afat konkret për kohëzgjatjen e konfliktit apo një plan afatgjatë për stabilizimin dhe rindërtimin e vendit. Megjithatë, në postimin e tij ai paralajmëroi se sulmet mund të vazhdojnë për disa ditë.
“Bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin tonë për paqe në Lindjen e Mesme dhe, në fakt, në të gjithë botën!,” përfundoi Trump.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)