Pamje që po qarkullojnë në mediat sociale duket se tregojnë përdorimin e parë operacional të sistemit të ri të mbrojtjes ajrore me lazer të Izraelit, "Iron Beam".
Imazhet tregojnë sistemin me lazer që kap një dron përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin, ndërsa Hezbollahu iu bashkua luftës me Iranin dhe lëshoi raketa e dronë drejt Haifës.
Nëse konfirmohet nga IDF-ja, kjo do të shënonte përdorimin e parë të njohur luftarak të sistemit të ri, i cili iu dorëzua grupit të mbrojtjes ajrore të Forcave Ajrore Izraelite vetëm në fund të dhjetorit.
Hezbollahu lëshoi disa raketa gjatë natës nga jugu i lumit Litani të Libanit, duke aktivizuar sirenat në Haifa dhe Krayot, një grup qytetesh në zonën e Gjirit të Haifës. Një raketë u kap dhe të tjerat ranë në zona të hapura, duke mos shkaktuar dëme, sipas ushtrisë së Izraelit.
Në të njëjtën kohë, sirenat paralajmëruese tingëlluan për rreth një orë përgjatë kufirit verior mes shqetësimeve për infiltrim të dronëve. Një dron u kap nga sistemi me lazer, duke shkaktuar një zjarr pranë komunitetit kufitar të Shlomi.
Në një deklaratë të lëshuar pas nisjes së sulmit, Hezbollahu tha se kishte shënjestruar atë që e përshkroi si një "bazë ushtarake” në jug të Haifës me një breshëri raketash precize dhe një mori dronësh.
Grupi tha se sulmi ishte një një akt legjitim vetëmbrojtjeje dhe kundërpërgjigje pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe atyre që i cilësoi shkelje të përsëritura izraelite kundër Libanit.
Rreth dy orë më vonë, Izraeli filloi sulme hakmarrëse. Ushtria tha se po kryente sulme intensive kundër objektivave të Hezbollahut në të gjithë Libanin në përgjigje të lëshimeve dhe nuk do ta lejonte grupin të kërcënonte banorët e veriut. IDF-ja tha se forcat ishin përgatitur për skenarin si pjesë e fushatës më të gjerë të Operacionit "Ulërima e Luanit” kundër Iranit dhe ishin gati për një konflikt shumëfrontal.
Ministria e Mbrojtjes e ka përshkruar sistemin lazer si një përparim teknologjik të projektuar për të plotësuar rrjetin shumështresor të mbrojtjes ajrore të Izraelit, i cili përfshin sistemet "Kupola e Hekurt", "David Sling" dhe "Arrow".
Zyrtarët e mbrojtjes thanë më parë se sistemi demonstroi përgjime të suksesshme të raketave, mortajave dhe dronëve në testime të gjera. Ata thanë se lazeri me fuqi të lartë, i pajisur me një drejtues rrezesh të përparuar dhe një sistem shënjestrimi elektro-optik, është i aftë të përballet me një gamë kërcënimesh ajrore me saktësi të lartë dhe kosto dukshëm më të ulët për përgjim sesa sistemet tradicionale të bazuara në raketa.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)