Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi të hënën biseda telefonike me katër liderë të vendeve të Gjirit Persik, duke paralajmëruar për rrezikun që sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të përshkallëzohen në një konflikt të gjerë rajonal.
Sipas Kremlinit, gjatë bisedës me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, të dy palët shprehën “shqetësim serioz për rrezikun real të zgjerimit të zonës së konfliktit”, e cila tashmë ka prekur territoret e disa vendeve arabe dhe mund të sjellë pasoja katastrofike.
Putin theksoi nevojën për diplomaci për të adresuar situatën që e cilësoi si “jashtëzakonisht të rrezikshme”. Nga ana e tij, princi saudit vlerësoi se Moska mund të luajë një rol stabilizues, duke pasur marrëdhënie të mira si me Iranin ashtu edhe me vendet e Gjirit.
Kremlini bëri të ditur se presidenti rus zhvilloi bisedë edhe me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku të dy liderët theksuan domosdoshmërinë e ndalimit të armiqësive dhe rikthimit në një proces politik e diplomatik.
Në një tjetër telefonatë me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, u shpreh shqetësimi për rrezikun e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e përfshirjes së vendeve të treta. Putin bisedoi gjithashtu edhe me mbretin e Bahreinit, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)