Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka paralajmëruar se rreziku për sigurinë bërthamore globale po rritet ndjeshëm për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp në Moskë, pas takimit me ministrin e dytë të Jashtëm të Bruneit, Erywan Yusof.
I pyetur mbi seriozitetin e kërcënimit bërthamor në nivel global në dritën e zhvillimeve të fundit në rajon, Lavrov u shpreh se situata është përkeqësuar.
“Sipas mendimit tim, kërcënimi po rritet,” theksoi ai, duke e lidhur këtë me dinamikat e konfliktit dhe me qëndrimet e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë.
Lavrov rikujtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë argumentuar më herët se sulmet ndaj Iranit lidhen me pretendimet për zhvillimin e një arme bërthamore nga Teherani. Sipas tij, Uashingtoni kishte deklaruar pas përplasjes 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit se kapacitetet për ndërtimin e një bombe bërthamore ishin shkatërruar.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse presioni ndaj Iranit vazhdon për heqjen dorë nga pasurimi i uraniumit për qëllime paqësore, kjo mund të prodhojë efekt të kundërt.
Sipas Lavrovit, pasurimi për përdorim civil është një e drejtë e njohur ndërkombëtarisht dhe mohimi i saj mund të forcojë zërat që kërkojnë zhvillimin e armëve bërthamore.
Në një bisedë telefonike me homologun iranian, Abbas Araghchi, Lavrov theksoi nevojën për deeskalim, respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe infrastrukturës në rajon.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)