Një sulm me nëndetëse ndaj një anijeje iraniane ka ndodhur në brigjet e Sri Lankës, duke lënë të paktën 101 persona të zhdukur, një të vdekur dhe 78 të plagosur.
Agjencia e lajmeve Reuters konfirmon ngjarjen duke ju referuar burimeve nga Marina dhe Ministria e Mbrojtjes së Sri Lankës.
“Ajo që dimë deri më tani është se 79 persona u shpëtuan dhe u dërguan në spital dhe njëri prej tyre u plagos rëndë. Besohet se 101 të tjerë janë të zhdukur dhe anija është fundosur", tha një burim i marinës së Sri Lankës, i cili nuk pranoi të identifikohej pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me median.
Sipas burimeve nuk ka qenë shumë e qartë se kush e sulmoi anijen, e cila tani është fundosur.
Një zëdhënës i marinës së Sri Lankës tha se 32 persona të plagosur në incident ishin shpëtuar nga forcat detare të vendit dhe po trajtohen me ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Sri Lankës i tha parlamentit më herët gjatë ditës se marina i ishte përgjigjur një thirrjeje për ndihmë nga anija dhe kishte nisur operacionet e shpëtimit në orën 6:00 të mëngjesit.
Ministri i Jashtëm Vijitha Herath nuk dha detaje të mëtejshme në parlament, por tha se ushtria kishte shpëtuar të paktën 30 persona që ishin në bord dhe shtoi se Sri Lanka do të merrte masat e duhura.
Një deputet i opozitës pyeti nëse anija ishte bombarduar si pjesë e sulmeve SHBA-Izrael kundër Iranit, por nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare.
Mediat lokale raportuan se anija kishte sinjalizuar se ishte në rrezik pranë brigjeve të Galle në jug të Sri Lankës dhe se të plagosurit ishin shtruar në një spital në qytet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)