Ministri i Energjisë së Katarit, Saad al-Kaabi ka paralajmëruar se çmimi i naftës mund të rritet në mbi 150 dollarë për fuçi. Sipas tij, ky zhvillim mund të ketë pasoja të rënda për ekonomitë në mbarë botën. Ai theksoi se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë një krizë të re energjetike globale.
Deklaratat e tij për “Financial Times” erdhën në një kohë kur çmimi i naftës bruto u rrit me rreth 7%, duke kaluar mbi 90 dollarë për fuçi. Sa për krahasim, gjatë pjesës më të madhe të vitit çmimi ishte luhatur mes 60 dhe 70 dollarëve. Një rritje deri në 150 dollarë do të nënkuptonte më shumë se dyfishim të çmimit krahasuar me nivelin para sulmeve ndaj Iran.
“Një rritje e tillë do të mund të rrëzonte ekonomitë e botës”, paralajmëroi al-Kaabi. Sipas tij, nëse lufta vazhdon edhe për disa javë, rritja ekonomike globale do të ndikohet ndjeshëm ndërsa çmimet e energjisë do të rriten për të gjitha vendet. Ai shtoi se mund të krijohen mungesa të disa produkteve dhe një reaksion zinxhir në industri, pasi fabrikat mund të përballen me vështirësi në furnizim.
Ministri paralajmëroi gjithashtu se eksportuesit e energjisë në Gjirin Persik mund të detyrohen të ndalojnë prodhimin, gjë që do të shtonte më tej presionin mbi çmimet e naftës. Tregjet energjetike janë tronditur gjithashtu nga zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Përmes këtij korridori detar kalojnë rreth 21 milionë fuçi naftë në ditë, që përbën afërsisht një të pestën e tregtisë globale të naftës.
Ndërkohë, çmimi i naftës “Brent” është rritur me gati 30% gjatë kësaj jave, duke shënuar rritjen më të madhe javore që nga viti 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ekonomistët paralajmërojnë se një rritje e zgjatur e çmimeve të naftës dhe gazit mund të rrisë inflacionin global dhe të detyrojë bankat qendrore të shtrëngojnë politikat monetare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)