Sipas komitetit hetimor të Rusisë dhe mediave lokale shpërthimi në kryeqytetin rus ndodhi pranë vendit të vrasjes së gjeneralit Fanil Sarvarov dy ditë më parë. Autoritetet ruse thonë se sulmi ndodhi pasi dy oficerë policie iu afruan një burri që vepronte në mënyrë të dyshimtë pranë vendit ku makina e gjeneralit të lartë u hodh në erë.
Komiteti hetimor shtetëror thotë se kur dy oficerë iu afruan burrit këtë mëngjes, ata u vranë nga një pajisje shpërthyese, ndërsa personi i tretë që ka humbur jetën dyshohet të jetë vetë personi që mbante bombën.
“Shpërthimi ndodhi shumë afër vendit ku u vra të hënën gjenerallejtënant Fanil Sarvarov, kreu i drejtorisë së stërvitjes operacionale të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse”, tha zëdhënësja e komitetit Svetlana Petrenko.
Moska pretendon se bomba ishte vendosur nga inteligjenca ukrainase, por ende nuk ka një koment nga Kievi për rastin në fjalë.
Një hetim është hapur tani për rastin, me Petrenkon që shton se “hetuesit dhe specialistët mjeko-ligjorë të komitetit hetimor të Moskës vazhdojnë të shqyrtojnë vendin e ngjarjes”.
“Hetimi po përgatit materialet e nevojshme për ekzaminime mjeko-ligjore, duke përfshirë analiza gjenetike, mjekësore dhe shpërthyese-teknike. Mekanizmi i aktivizimit të pajisjes shpërthyese po përcaktohet. Dëshmitarët po merren në pyetje dhe pamjet e kamerave të mbikëqyrjes po shqyrtohen", sqaroi ajo.
Oficerët e policisë të vrarë në sulmin me bombë në makinë në Moskë sipas inspektoratit shtetëror të trafikut të qytetit janë togerët e policisë Ilya Klimanov (24 vjeç), dhe Maxim Gorbunov (25 vjeç),
Në një deklaratë në Telegram, inspektorati i trafikut thotë se oficerët "morën lëndime fatale gjatë detyrës", duke shtuar ngushëllime për familjet e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)