Protestat në Iran përhapen në 111 qytete, qeveria kompenson qytetarët me 7 dollarë

Vijojnë protesta për të 11 ditë në Iran. Raportohen përleshje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, teksa revolta është përhapur në të gjithë vendin.

Burimi: BBC

08.01.2026. 08:24

Protestat në Iran përhapen në 111 qytete, qeveria kompenson qytetarët me 7 dollarë

Përplasje të dhunshme dhe të shtëna me armë raportohen nga Irani, tashmë që protestat për situatën ekonomike të vendit, kanë hyrë në ditën e 11 të tyre.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, e cila është e afërt me Gardën Revolucionare, tha se dy policë u vranë nga persona të armatosur në qytetin jugperëndimor të Lordegan.

Në pamjet filmike nga disa zona të tjera, forcat e sigurisë duket tek qëllojnë me armë dhe gaz lotsjellës drejt turmave të protestuesve, të cilët kundërpërgjigjen me gurë.

Protestat deri më tani janë përhapur në 111 qytete në të 31 provincat, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA.

Raportohet se të paktën 34 protestues dhe katër anëtarë të personelit të sigurisë janë vrarë gjatë trazirave, ndërkohë që 2200 persona janë arrestuar.

Protestat nisën më 28 dhjetor, kur tregtarët dolën në rrugët e Teheranit, për të shprehur zemërimin për rënien e ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan.

Studentët e universitetit shpejt iu bashkuan protestave dhe ato filluan të përhapeshin në qytete të tjera, me turma që dëgjoheshin shpesh duke brohoritur slogane kundër Udhëheqësit Suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei.

Mediat shtetërore raportuan se qeveria kishte filluar t'u paguante 71 milionë qytetarëve një pagesë të re mujore ekuivalente me 7 dollarë për të lehtësuar dhimbjen e kostos së lartë të jetesës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)