Biznesmeni dhe filantropisti Bill Gates i ka pranuar takimet e tij me të dënuarin për abuzim seksual dhe trafik të të miturve, Jeffrey Epstein, por ka shprehur pendesë për marrëdhënien miqësore që kishte ndërtuar me të.
Ai së fundmi tha për rrjetin australian 9 News Australia se ishte treguar "budalla" që kaloi kohë me Epstein, duke theksuar se i vjen keq për çdo kontakt që pati me të.
Gates po ashtu pretendoi se e-maili i përfshirë në dokumentet e publikuara së fundmi nuk i është dërguar kurrë në llogarinë e tij elektronike. Biznesmeni duket se po i referohet një e-maili të korrikut 2013 që ishte shkruar sikur t'i ishte drejtuar atij nga Epstein.
Në të, Epstein akuzon Gates se po injoron miqësinë e tyre dhe i referohet një "sëmundjeje seksualisht të transmetueshme", marrë pas marrëdhënieve seksuale me një vajzë ruse, ndërsa pretendon se iu kërkua të siguronte antibiotikë që do t'i jepeshin fshehurazi për të mos u kuptuar nga gruaja e tij e atëhershme, Melinda French Gates.
Në intervistën në Australi, miliarderi tha se e-maili në fjalë nuk është dërguar kurrë, duke pretenduar se Epstein ia kishte shkruar vetes. "Me sa duket, Jeffrey i shkroi një e-mail vetes. Nuk është dërguar kurrë dhe nuk e di se çfarë po mendonte", tha ai.
Duke folur për raportin e tyre, Gates tha se kontaktet e tij me Epstein ishin të kufizuara vetëm në darka dhe se ai kurrë nuk e kishte vizituar kurrë ishullin e tij privat, apo të kishte pasur aty kontakt me gra.
“Isha një nga shumë njerëz që pendohen që e kanë njohur. Sa më shumë prova që dalin, aq më e qartë bëhet se, ndërsa ai kontakt ishte i gabuar, nuk kishte të bënte fare me këtë lloj sjelljeje”, tha Bill Gates.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)