Biznesmeni çeçen dhe ish-senatori rus, Umar Dzhabrailov, u gjet i vdekur në një apartament luksoz në Moskë, në rrethana që autoritetet po i hetojnë si vetëvrasje.
Sipas mediave ruse, 67-vjeçari u zbulua rreth orës 03:00 me një plagë arme zjarri në kokë, ndërsa pranë trupit të tij u gjet një pistoletë tip Luger.
Burime policore thanë se ai nuk kishte lënë shënim vetëvrasjeje, megjithëse kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe në vitin 2020.
Vdekja e tij vjen pak javë pasi emri i tij u përmend në dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen Jeffrey Epstein.
Në email-e të vitit 2001, Dzhabrailov shihet duke komunikuar me Ghislaine Maxëell, të cilën më herët e kishte quajtur “shpirtin binjak”.
Në një nga mesazhet e publikuara, ai shkruante:
“E dashur Ghislaine, jam kthyer nga Londra, po planifikoj të jem në Moskë. Dua shumë të të shoh, por më duhet të di saktësisht kur do të mbërrish, sepse dua të kujdesem për ty dhe të organizoj gjërat e mirëseardhjes. Të uroj gjithë të mirat! Umar.”
Maxwell iu përgjigj duke njoftuar se do të mbërrinte në Moskë me Epstein javën pasuese.
Dzhabrailov kishte shërbyer si senator në Këshillin e Federatës nga viti 2004 deri në 2009 dhe më parë kishte kandiduar për president të Rusisë në vitin 2000.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)