Kina ka urdhëruar kompanitë e energjisë të ndalojnë kontratat e reja të eksportit të karburanteve dhe të përpiqen të anulojnë dërgesat tashmë të planifikuara jashtë vendit. Vendimi erdhi pasi tregjet globale të karburanteve po përballen me probleme për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas burimeve të “Reuters”, urdhri për eksportuesit përjashton vetëm kontratat për karburant avionësh për fluturimet ndërkombëtare dhe karburant për anijet e transportit. “Bloomberg” raporton se qeveria kineze ka kërkuar që ndalimi të zbatohet menjëherë, duke shfaqur shqetësimin për disponueshmërinë e karburanteve.
Kjo situatë ka ardhur pavarësisht se Kina ka rezerva të mëdha, ku përllogaritet se ka të akumuluara rreth një milion fuçi në ditë gjatë vitit të kaluar. Kina është ndër eksportuesit kryesorë të karburanteve në Azi, pas Koresë së Jugut dhe Singaporit. Sipas “Bloomberg”, në këtë pikë qarkullimi i anijeve ka arritur pothuajse në zero.
Qeveria kineze kishte dhënë kuotat e para të eksportit në dhjetor për benzinë, naftë dhe karburant avionësh, duke përfshirë gjithashtu 8 milionë tonë karburant me sulfur të ulët për anijet e transportit. Nga shpërndarja përfituan më tepër kompanitë shtetërore “Sinopec” dhe “CNPC”, që morën mbi 70% të kuotave, për një total prej 13,76 milionë tonë. Rafineritë kineze kishin eksportuar që nga fillimi i muajit rreth 70 mijë tonë karburant avionësh, 35 mijë tonë naftë dhe 35 mijë tonë benzinë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)