Autoritetet doganore në një aeroport në Sri Lanka kanë vënë në pranë 22 murgj budistë pasi në bagazhet e tyre gjetën jo pak por 110 kg kanabis sativa.
Sipas zyrtarëve doganorë, çdo murg kishte rreth 5 kilogramë të një lloji shumë të fuqishëm droge të quajtur “Kush”, e fshehur në ndarje të dyfishta të valixheve. Ngjarja ndodhi të shtunën, kur grupi po kthehej nga një udhëtim në Tajlandë.
Autoritetet bëjnë të ditur se murgjit, shumica studentë, kishin udhëtuar për një pushim 4-ditor të paguar nga një sponsor i panjohur. Një tjetër murg, i dyshuar si organizatori i udhëtimit, është arrestuar më vonë në periferi të Colombos.
Sipas policisë, ai nuk kishte udhëtuar me grupin, por u kishte thënë murgjve se “pakot janë donacione” dhe se një furgon do të vinte t’i merrte ato pas mbërritjes.
Hetimet zbuluan gjithashtu foto dhe video në telefonat e disa prej murgjve, ku ata shfaqeshin duke kaluar kohë pushimi me veshje civile gjatë udhëtimit.
Policia ka deklaruar se ekziston mundësia që disa prej tyre mund të mos kenë qenë në dijeni të përmbajtjes së vërtetë të bagazheve, të cilat përveç drogës përmbanin edhe materiale shkollore dhe ëmbëlsira.
Të 22 murgjit janë lënë në paraburgim për 7 ditë për hetime të mëtejshme. Ky rast konsiderohet i pari i këtij lloji në vend, ku një grup murgjish dyshohet për përfshirje në trafik droge përmes aeroportit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)