K-pop dhe K-dramat mes arsyeve për 153 ekzekutime në Korenë e Veriut

Sipas të dhënave, disa nga veprat më të zakonshme që kanë çuar në dënim me vdekje lidhen me fenë, “supersticionet” dhe përhapjen e kulturës së huaj.

Burimi: BBC

28.04.2026. 10:03

K-pop dhe K-dramat mes arsyeve për 153 ekzekutime në Korenë e Veriut

Një raport i publikuar nga organizata joqeveritare “Transitional Justice Working Group” me seli në Seul, tregon se në Korenë e Veriut, ekzekutimet u rritën ndjeshëm gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19.

Sipas raportit, nga janari 2020 deri në fund të vitit 2024, të paktën 153 persona janë ekzekutuar ose janë dënuar me vdekje. Kjo shifër është shumë më e lartë krahasuar me periudhën 2015–2019, kur u regjistruan rreth 44 raste të tilla.

Organizata thekson se numri i ekzekutimeve u rrit ndjeshëm pas mbylljes së kufijve nga regjimi i Kim Jong Un, i cili synoi të forcojë kontrollin e brendshëm gjatë pandemisë.

Sipas të dhënave, disa nga veprat më të zakonshme që kanë çuar në dënim me vdekje lidhen me fenë, “supersticionet” dhe përhapjen e kulturës së huaj, përfshirë shikimin dhe shpërndarjen e serialeve koreano-jugore dhe muzikës K-pop. Këto produkte kulturore nga Koreja e Jugut janë të ndaluara në veri, pasi konsiderohen si kërcënim ideologjik.

Raporti përmend edhe raste të rralla të publikuara, ku adoleshentë janë dënuar me punë të detyruar për shikimin e përmbajtjeve të tilla.

Ndër veprat e tjera që kanë çuar në ekzekutim përfshihen kritikat ndaj liderit Kim Jong Un, vrasje, trafik droge dhe ndihma për arratisjen e qytetarëve nga vendi.

Sipas organizatës, më shumë se 70% e ekzekutimeve janë kryer publikisht, kryesisht me pushkatim, dhe janë identifikuar dhjetëra vende ekzekutimi në të gjithë vendin.

Ekspertët paralajmërojnë se regjimi mund të rrisë më tej represionin për të forcuar kontrollin politik dhe ideologjik, sidomos në kuadër të trashëgimisë së pushtetit brenda familjes në krye të shtetit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)