Një nga incidentet më të frikshme në historinë e aviacionit civil ndodhi më 24 qershor 1982, kur fluturimi 009 i kompanisë British Airways u përball me një situatë që dukej e pashpresë mbi Oqeanin Indian. Ajo që e bëri këtë ngjarje legjendare nuk ishte vetëm defekti katastrofik i avionit, por edhe qetësia e jashtëzakonshme e kapitenit Eric Moody gjatë komunikimit me pasagjerët.
Avioni Boeing 747 ishte nisur nga Londra drejt Zelandës së Re dhe kishte bërë një ndalesë në Kuala Lumpur. Në bord ndodheshin më shumë se 260 persona. Teksa fluturonte në një lartësi prej rreth 11 mijë metrash mbi Oqeanin Indian, pilotët vunë re disa drita të pazakonta blu dhe të bardha në xhamin e përparmë të kabinës.
Pak sekonda më vonë situata u përkeqësua me shpejtësi. Motorët nisën të humbnin fuqinë njëri pas tjetrit dhe brenda më pak se 90 sekondash, të katër motorët e avionit u fikën plotësisht.
Në kabinë shpërtheu paniku. Maskat e oksigjenit ranë automatikisht, ndërsa brenda avionit u përhap tym dhe një erë e fortë squfuri. Shumë pasagjerë menduan se fundi ishte afër dhe nisën të shkruanin letra lamtumire për familjarët e tyre.
Në atë moment, në altoparlant u dëgjua zëri i kapitenit Eric Moody, i cili me një qetësi të pazakontë tha: “Zonja dhe zotërinj, ju flet kapiteni juaj. Kemi një problem të vogël. Të katër motorët janë ndalur. Po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndezur sërish. Shpresoj të mos jeni shumë të shqetësuar”.
Ky mesazh u bë më vonë një nga deklaratat më të famshme në historinë e aviacionit. Ndërkohë, në kabinën e pilotëve situata ishte dramatike. Bashkëpiloti pati probleme me maskën e oksigjenit, duke detyruar kapitenin të ulte avionin në një lartësi më të sigurt. Inxhinieri i fluturimit, Barry Townley-Freeman, provoi më shumë se 15 herë të ndizte motorët, por pa sukses.
Kur avioni po afrohej drejt brigjeve malore të Indonezisë dhe dukej se një ulje emergjente në det ishte e pashmangshme, ndodhi e papritura. Në një lartësi më të ulët se 4 mijë metra, motorët nisën të rindizeshin njëri pas tjetrit.
Megjithatë, problemet nuk përfunduan aty. Xhami i kabinës ishte dëmtuar aq rëndë sa pilotët pothuajse nuk shihnin asgjë. Ata u detyruan të ulnin avionin në aeroportin e Xhakartës duke u orientuar vetëm nga instrumentet dhe udhëzimet e kullës së kontrollit. Për fat, ulja rezultoi e suksesshme dhe askush nuk humbi jetën.
Hetimet zbuluan më vonë se avioni kishte kaluar përmes një reje të madhe hiri vullkanik të shkaktuar nga shpërthimi i vullkanit Galunggung në Indonezi. Grimcat e imëta të hirit bllokuan motorët dhe dëmtuan rëndë xhamin e kabinës.
Pas këtij incidenti, industria e aviacionit krijoi sisteme të posaçme monitorimi për retë vullkanike, në mënyrë që avionët të shmangin zona të tilla të rrezikshme. Pikërisht këto masa sigurie bënë që në vitin 2010 trafiku ajror në Europë të paralizohej për javë të tëra pas shpërthimit të vullkanit islandez Eyjafjallajökull.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)