Qeveria e Tajvanit ka riafirmuar publikisht pavarësinë e saj, duke deklaruar se ishulli është një shtet demokratik dhe sovran, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se shpallja e pavarësisë mund të çojë në përplasje me Pekinin. Ministri i Jashtëm tajvanez, Lin Chia-lung deklaroi se Tajvani nuk i nënshtrohet Republikës Popullore të Kinës.
“Tajvani është një komb demokratik, sovran dhe i pavarur, dhe nuk është i varur nga Republika Popullore e Kinës”, u shpreh ai. Në reagimin e tij, ministri i Jashtëm i Tajvanit theksoi gjithashtu se shitja e armëve nga SHBA për ishullin përbën pjesë të angazhimeve amerikane për sigurinë ndaj ishullit.
Çështja e Tajvanit ka qenë një nga temat kryesore gjatë bisedimeve mes Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping. Sipas raportimeve, Xi ka paralajmëruar se menaxhimi i gabuar i kësaj çështjeje mund të çojë në një përplasje të drejtpërdrejtë mes SHBA-së dhe Kinës. Nga ana tjetër, në një intervistë për Fox News, Trump tha se Pekini nuk dëshiron pavarësinë e Tajvanit dhe se ai kërkon qetësi nga të dyja palët.
“Kina nuk do pavarësinë e Tajvanit. Unë dua që Tajvani të qetësohet dhe Kina të qetësohet”, deklaroi Trump. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i pranishëm gjithashtu në Kinë gjatë takimit Trump-Xi, ka përsëritur se qëndrimi i Uashingtonit ndaj Tajvanit “nuk ka ndryshuar”.
Trump tha gjithashtu se ka diskutuar “në detaje” me Xi për çështjen e shitjes së armëve për Tajvanin, por nuk dha detaje nëse do të miratohet një marrëveshje armësh me vlerë rreth 14 miliardë dollarë, e cila deri tani është shtyrë nga administrata amerikane për të shmangur tensionet me Pekinin. “Do të marr vendime. Por mendoj se gjëja e fundit që na duhet tani është një luftë 9,500 milje larg”, u shpreh Trump.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)