Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Iovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë do të transformohet në një Qendër Ndërkombëtare Arti, ndërsa zbatimi i projektit pritet të nisë në muajin mars.
Sipas tij, kjo nismë synon ta shndërrojë hapësirën në një pikëtakim të rëndësishëm për ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë. Gonxhja theksoi se projekti do t’i japë një dimension të ri këtij monumenti me vlera historike e kulturore.
“Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë po përgatitet të kthehet në një qendër multifunksionale kreative të përmasave ndërkombëtare. Një bashkëpunim strategjik mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë, ESPN, falë përkrahjes nga partnerë evropianë, do të sjellë nga kjo pranverë një frymë të re në zemër të trashëgimisë sonë”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se projekti ambicioz, i mbështetur nga Ministria e Kulturës do ta shndërrojë këtë hapësirë në një qendër kreative me ndikim ndërkombëtar. “Ky projekt do ta kthejë këtë hapësirë në një pikëtakim për ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë”, theksoi Gonxhja.
Sipas tij, qendra e re do të ofrojë rezidenca artistike dhe programe shkëmbimi, ku artistë dhe studentë shqiptarë e francezë do të bashkëpunojnë në trajnime dhe kërkime shkencore. Një tjetër komponent i rëndësishëm do të jetë “Itinerari i Gjurmëve Fishtjane”, një rrugëtim hulumtues që do të lidhë historinë e Fishtës me arkivën e pasur të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Ministri nënvizoi se projekti do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, institucione ndërkombëtare dhe aktorë lokalë, përfshirë agroturizmat e zonës, duke synuar të rrisë interesin e turistëve për historinë, natyrën dhe kulinarinë e Lezhës.
“Me mbylljen këtë janar të proceseve të kolaudimit, regjistrimit dhe kalimit në administrim, në mars pritet të nisë zbatimi dhe jetëzimi i projektit”, përfundoi Gonxhja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)