Kryeministri Edi Rama ka ndarë me publikun disa pamje nga Mozaiku i Tiranës, duke vënë në dukje përgatitjet që po bëhen për ta hapur këtë hapësirë kulturore edhe më shumë për vizitorët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thekson rëndësinë e këtij siti arkeologjik si një dëshmi e çmuar e historisë sonë:
“Mirëmëngjes dhe me Mozaikun e Tiranës, ku po përgatiten për publikun mozaikë dhe materiale arkeologjike nga antikiteti, si dëshmi e rëndësishme e historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan ai.
Mozaiku i Tiranës daton që nga shekulli i III dhe u zbulua në vitet ’70 gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh në Tirana. Sot, ai përfaqëson një hapësirë moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm dhe po shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për kryeqytetin.
Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative të dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë, kjo hapësirë ofron një qasje bashkëkohore në interpretimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare.
Përveç vlerës historike, godina shërben edhe si një pikë informacioni vizuale për pasuritë arkeologjike që fshihen në nëntokën shqiptare, duke e kthyer Mozaikun e Tiranës në një dritare të rëndësishme për njohjen dhe promovimin e historisë sonë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)