“Krishti tjetër”, ekspozohen për herë të parë në histori eshtrat e Shën Françeskut

Ka nisur prej datës 22 shkurt dhe do të vijojë deri më 22 mars 2026, në kuadër të 800-vjetorit të vdekjes së shenjtorit.

23.02.2026. 11:35

“Krishti tjetër”, ekspozohen për herë të parë në histori eshtrat e Shën Françeskut

Për herë të parë në histori, eshtrat e Shën Françeskut të Asizit do të shfaqen publikisht, me besimtarët nga e gjithë bota që do të kenë shansin ti shohin. Ekspozimi ka nisur prej datës 22 shkurt dhe do të vijojë deri më 22 mars 2026, në kuadër të 800-vjetorit të vdekjes së shenjtorit. Ky vit u shpall vit i veçantë dhe jubilar nga Papa Leoni XIV.

Eshtrat e “të Vobektit të Asizit”, siç njihet ndryshe Shën Françesku janë nxjerrë nga varri i tij në kriptë dhe u vendosën pranë altarit në Kishën e Poshtme të Bazilikës së Shën Françeskut në Asizi. Aty do të qëndrojnë për nderim publik gjatë muajit në vazhdim. Kujdestari i Kuvendit të Shenjtë të Asizit, fra Marco Moroni, e cilësoi këtë moment si një ngjarje të jashtëzakonshme shpirtërore.

“Për herë të parë në histori, eshtrat e Shën Françeskut do të jenë të dukshme për të gjithë. Është një mundësi e çmuar për të rizbuluar te Françesku ‘alter Christus’ - Krishtin tjetër - i cili na mëson rrugën e dashurisë, pajtimit, vëllazërisë dhe dhurimin e plotë të vetes për Zotin dhe për të tjerët, si rrugë drejt një jete të përmbushur”, u shpreh ai.

Interesi i besimtarëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Për të menaxhuar fluksin e madh të pelegrinëve nga e gjithë bota, është përcaktuar vendosja e një sistemi rezervimi falas, por i detyrueshëm. Deri më tani janë regjistruar mbi 300 mijë rezervime.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)