Një zbulim i jashtëzakonshëm nënujore ka hapur mundësi të reja për arkeologjinë europiane, pasi në një thellësi prej rreth 9 metrash janë identifikuar struktura guri që datojnë nga periudha 5.800-5.300 para Erës Sonë, një kohë kur niveli i detit ishte ndjeshëm më i ulët se sot.
Strukturat u vunë re fillimisht në vitin 2017 nga Yves Fouquet, gjeolog i dalë në pension i Ifremer dhe banor i ishullit Sein në Francë. Ai u ndesh me formacione të pazakonta gjatë analizimit të hartave batimetrike, të cilat lejojnë matje shumë të sakta të relievit të fundit të detit. Zbulimi nxiti një seri kërkimesh të mëtejshme shkencore.
Gjatë rreth 60 zhytjeve të kryera mes viteve 2022 dhe 2024, studiuesit konfirmuan praninë e 11 strukturave artificiale prej graniti. Më e madhja prej tyre arrin 120 metra gjatësi dhe 21 metra gjerësi në bazë. Sipas studiuesve, këto struktura mund të kenë shërbyer si kurthe për peshq në zonën bregdetare ose si mure mbrojtëse kundër rritjes së nivelit të detit.
“Bëhet fjalë për një zbulim shumë interesant që hap perspektiva të reja në arkeologjinë nënujore dhe na ndihmon të kuptojmë më mirë organizimin e shoqërive bregdetare parahistorike,” u shpreh studiuesi Pailler.
Një grup tjetër shkencëtarësh sugjeron se këto ndërtime megalitike mund të kenë lidhje me struktura të tjera të famshme, si rreshtimet e Carnac në Francë, duke i cilësuar ato si ndër ndërtimet më të vjetra prej guri në Europë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)