Një grua nga Australia është kthyer në qendër të vëmendjes mediatike pasi vendosi të kundërshtonte një gjobë parkimi prej vetëm 58 eurosh, por përfundoi duke shpenzuar rreth 30 mijë euro në shpenzime ligjore dhe gjyqësore. Rasti, i raportuar nga media franceze Ouest France, ilustron pasojat që mund të ketë një proces i gjatë gjyqësor, edhe kur bëhet fjalë për një shkelje të vogël.
Ngjarja daton në vitin 2021, kur gruaja, e identifikuar si zonja Mathie, mori një gjobë për parkim dysh në bulevardin Boucaut, në veri të Adelaide-s, pranë një shkolle private. Gjobëvënia, me vlerë rreth 104 dollarë australianë, u bë për shkelje të rregullave të parkimit.
Zonja Mathie e konsideroi masën të padrejtë dhe refuzoi ta paguante, duke zgjedhur rrugën ligjore për ta kundërshtuar. Sipas saj, ajo nuk ishte e parkuar, por e bllokuar në trafik dhe nuk kishte mundësi të lëvizte pa shkelur rregulla të tjera të qarkullimit rrugor. Fillimisht çështja u trajtua nga autoritetet lokale, por më pas shkoi në instanca më të larta gjyqësore.
Procesi u zgjat për disa vite, ndërsa kostot për avokatë, taksa gjyqësore dhe shpenzime të tjera ligjore u rritën ndjeshëm. Në fund, gjykata vendosi në favor të saj dhe anuloi gjobën prej 58 eurosh. Megjithatë, fitorja ligjore rezultoi shumë e kushtueshme, shpenzimet totale arritën rreth 28-30 mijë euro.
Ekspertët e së drejtës administrative theksojnë se, edhe pse ligji u jep qytetarëve të drejtën për të kundërshtuar gjobat, procedurat shpesh janë të gjata dhe të shtrenjta, duke dekurajuar shumë njerëz të kërkojnë drejtësi, edhe kur mendojnë se janë në të drejtën e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)