Policia spanjolle ka nisur një hetim për vdekjen e një “youtuberi” 37-vjeçar, i cili dyshohet se humbi jetën nga mbidoza pasi pranoi të konsumonte një shishe whisky dhe të thithte gjashtë gramë kokainë brenda tre orësh, si pjesë e një sfide ekstreme online.
Sergio Jimenez u gjet pa shenja jete nga vëllai i tij më i vogël, në shtëpinë ku jetonte me nënën në Vilanova i la Geltrú, pranë Barcelonës. Ai u zbulua i gjunjëzuar mbi shtrat, në një pozicion që i ngjante lutjes, ndërsa kamera e kompjuterit ishte ende e ndezur dhe transmetimi live vazhdonte për ndjekësit që, sipas familjes, kishin paguar për ta parë teksa konsumonte alkool dhe drogë.
Familjarët tregojnë se disa prej shikuesve në transmetim kishin bërë komente shqetësuese, duke pyetur nëse ai po flinte nga dehja apo pse nuk e kishte mbaruar ende shishen e whisky-t. Në dhomë u gjetën një shishe pothuajse bosh whisky, pije energjike dhe një sasi kokaine mbi një pjatë.
Nëna e tij, Teresa, ka deklaruar se e kishte lutur djalin të mos konsumonte alkool për shkak të medikamenteve që merrte për probleme psikiatrike, por ai e kishte injoruar këshillën. Sipas mediave spanjolle, Jimenez transmetonte për një grup privat, ku shikuesit dhuronin para dhe kërkonin kryerjen e sfidave gjithnjë e më ekstreme.
Policia ka konfirmuar se po heton rrethanat e vdekjes dhe nuk përjashton mundësinë e përgjegjësisë penale për “nxitje të sjelljeve të rrezikshme”, ndërsa priten rezultatet e plota të autopsisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)