27 vjet në këmbë rreth botës, zbulon sekretin e lumturisë dhe do të kthehet në shtëpi

Pas gati tri dekadash ecjeje pa ndërprerje përmes kontinenteve, rreziqeve ekstreme dhe sakrificave personale, eksploratori britanik Karl Bushby është vetëm një hap larg përfundimit të misionit të tij unik, të kthehet në Angli më 2026, duke mbyllur udhëtimin rreth botës që nisi në vitin 1998.

07.01.2026. 21:40

27 vjet në këmbë rreth botës, zbulon sekretin e lumturisë dhe do të kthehet në shtëpi

Karl Bushby, një eksplorator britanik 56-vjeçar, është pranë përmbylljes së një prej aventurave më të jashtëzakonshme të kohëve moderne. Pas 27 vitesh udhëtim pa ndërprerje rreth globit, ai planifikon të rikthehet në Angli gjatë vitit 2026, duke përmbushur misionin që nisi në vitin 1998 dhe që e quajti “Ekspedita Goliat”.

Bushby ishte vetëm 29 vjeç kur la qytetin e tij të lindjes, Hull, për t’u nisur drejt një sfide ekstreme, të përshkonte botën pa përdorur asnjë mjet transporti, përveç ecjes ose notit. Rregullat e tij ishin të qarta dhe të panegociueshme, asnjë ndihmë mekanike dhe asnjë kthim në shtëpi pa e përfunduar të gjithë rrugën në këmbë.

Udhëtimi nisi në Punta Arenas të Kilit dhe e çoi përmes Amerikës, Azisë dhe Evropës, duke kaluar disa nga zonat më të rrezikshme dhe të paarritshme të planetit. Gjatë këtyre viteve, ai ka përballuar situata ekstreme, ka kaluar Tapón del Darién, është ndaluar nga autoritetet ruse, është burgosur në Panama, ka qenë pranë vdekjes nga të ftohtit në Alaskë dhe ka notuar për 31 ditë rresht për të kaluar Detin Kaspik.

Para se të niste ekspeditën, Bushby kishte një të kaluar ushtarake. I rritur në një familje me traditë në ushtri, ai u rekrutua që në moshën 16-vjeçare dhe shërbeu për 12 vjet në një regjiment parashutistësh. Megjithatë, rutina dhe monotonia e jetës ushtarake e shtynë të kërkonte horizonte të reja.

Një nga sfidat më të mëdha për të ishte uria. Ai ka kaluar ditë të tëra pa ushqim, duke u mbështetur në bujarinë e njerëzve që takonte rrugës. Por, sipas tij, mësimi më i madh nga kjo rrugë e gjatë lidhet me lumturinë dhe lidhjet njerëzore. “Dhimbja fizike është e përballueshme, por ndarja nga njerëzit që do është shumë më e vështirë”, ka rrëfyer eksploratori, duke theksuar se momentet më të lumtura i ka përjetuar kur ka ndarë jetën me dikë gjatë udhëtimit të tij të jashtëzakonshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)