Përdorimi për punë personale i kompjuterit të kompanisë nuk justifikon automatikisht pushimin nga puna, nëse nuk provohet dëm konkret për punëdhënësin. Ky është përfundimi i një vendimi të fundit të drejtësisë spanjolle, e cila ka shpallur të padrejtë largimin nga puna të një punonjësi dhe ka detyruar kompaninë t’i paguajë atij një dëmshpërblim prej rreth 39 mijë eurosh.
Dhoma Sociale e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Rajonit të La Rioja ka konfirmuar një vendim të mëparshëm të Gjykatës Sociale nr. 1 në Logroño, duke vlerësuar se sjellja e punonjësit përbënte “shkelje të rëndë”, por jo “shkelje shumë të rëndë”, çka e bën të pajustifikuar masën ekstreme të pushimit nga puna.
Sipas vendimit, punonjësi kishte realizuar 1.085 hyrje në faqe interneti që nuk lidhen me aktivitetin e tij profesional gjatë dy muajve para largimit, duke shpenzuar rreth 57 orë. Mes faqeve të vizituara përfshiheshin materiale për konkurse shtetërore, përmbajtje mësimore, programe masteri, Google Drive dhe faqe të tjera personale.
Megjithatë, gjykata thekson se nuk u provua asnjë ndikim negativ në punën e tij. Nuk pati ankesa nga klientët, vonesa në shërbim, humbje ekonomike apo rënie të performancës krahasuar me kolegët e tjerë. Për këtë arsye, u vendos që kompania ose ta rikthejë në punë me pagesë të plotë të ditëve të humbura, ose t’i paguajë dëmshpërblimin prej 39.083 eurosh.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)