Personat toksikë në rrethin shoqëror nuk ndikojnë vetëm në humorin tonë, por mund të përshpejtojnë edhe procesin e plakjes biologjike. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Sipas kërkimit, çdo person problematik apo “i vështirë” në jetën tone, lidhet me një rritje të ritmit të plakjes biologjike me rreth 1,5%.
Kjo përkthehet në mesatarisht afro 9 muaj më tepër plakje krahasuar me moshatarët. Studimi analizoi të dhënat e 2,345 pjesëmarrësve të moshës nga 18 deri në 103 vjeç. Rezultatet treguan se mesatarisht 8,1% e njerëzve në rrethin social të individëve konsideroheshin shqetësues ose toksikë. Këta persona mund të shkaktojnë stres kronik, i cili ndikon drejtpërdrejt në trup, duke rritur presionin e gjakut, duke përkeqësuar gjumin dhe duke nxitur procese inflamatore që lidhen me plakjen.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një lidhje statistikore dhe jo për një provë të drejtpërdrejtë shkak-pasojë. Faktorë të tjerë si duhanpirja, gjendja shëndetësore dhe profesioni gjithashtu luajnë rol në procesin e plakjes.
Një aspekt interesant i studimit është se ndikimi më i madh negativ vjen nga marrëdhëniet e afërta familjare, si prindërit, fëmijët apo vëllezërit dhe motrat. Kjo ndodh sepse këto lidhje janë më të vështira për t’u kufizuar, ndryshe nga raportet me kolegë apo të njohur. Nga ana tjetër, kolegët e punës dhe bashkëjetuesit rezultojnë më problematikë sesa miqtë, për shkak të ndarjes së përditshme të hapësirës dhe ndërveprimit të vazhdueshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)