Një mjek i njohur ndërkombëtarisht ka ngritur alarmin për ndikimin e rrezikshëm të ushqimeve ultra të përpunuara në shëndet, duke i cilësuar ato si më të dëmshme edhe se vetë duhani.
Bëhet fjalë për Dr. Chris van Tulleken, specialist i sëmundjeve infektive, i cili gjatë një interviste në podcastin Diary of a CEO theksoi se konsumimi i përditshëm i këtyre produkteve lidhet me rritjen e ndjeshme të sëmundjeve kronike dhe vdekshmërisë së parakohshme.
Sipas tij, ushqimet ultra të përpunuara përfshijnë produkte industriale me përmbajtje të lartë yndyrnash, sheqernash, kripë dhe aditivësh artificialë. Ai thekson se këto ushqime janë bërë pjesë e përditshme e dietës moderne dhe shpesh konsumohen pa u kuptuar rreziku real që paraqesin.
“Për një kohë të gjatë kemi qenë të hutuar se çfarë duhet të hamë, por sot kemi prova të qarta se ushqimet ultra të përpunuara janë ndër shkaktarët kryesorë të problemeve shëndetësore,” është shprehur ai.
Studimet tregojnë se një konsum i lartë i këtyre ushqimeve lidhet me obezitetin, sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2 dhe çrregullimet mendore. Sipas ekspertëve, nuk ka asnjë provë që këto produkte sjellin përfitime për shëndetin.
Mjeku thekson se ndikimi i tyre nuk është vetëm individual, por edhe global, pasi prodhimi i tyre lidhet me ndotjen e mjedisit, humbjen e biodiversitetit dhe rritjen e emetimeve të karbonit.
Ai paralajmëron gjithashtu se këto ushqime mund të krijojnë varësi, në mënyrë të ngjashme me duhanin apo alkoolin, duke e bërë të vështirë heqjen dorë prej tyre.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se reduktimi i konsumit dhe orientimi drejt ushqimeve natyrale mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin, duke ulur rrezikun për sëmundje dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)