Gati një muaj luftë, nga dërgimi i trupave amerikane te plani me 15 pika, ç’po ndodh në Lindjen e Mesme

Situata në Lindjen e Mesme vijon të jetë e tensionuar me pasoja të drejtpërdrejta si në terren ashtu edhe në ekonominë globale.

Burimi: CNN

25.03.2026. 14:04

Gati një muaj luftë, nga dërgimi i trupave amerikane te plani me 15 pika, ç’po ndodh në Lindjen e Mesme

Situata në Lindjen e Mesme vijon të jetë e tensionuar me pasoja të drejtpërdrejta si në terren ashtu edhe në ekonominë globale.

Sipas burimeve të CNN, rreth 1,000 ushtarë amerikanë nga Divizioni Ajror 82 pritet të dislokohen në rajon në ditët në vijim. Ky veprim vjen në një moment kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehet optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin për t’i dhënë fund luftës, edhe pse nga Teherani ka skepticizëm të theksuar.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë ironizuar deklaratat e Uashingtonit, duke sugjeruar se SHBA mund të jetë “duke negociuar me vetveten”. Zyrtarët iranianë kanë theksuar se nuk i besojnë diplomacisë amerikane, duke kujtuar se vendi i tyre është goditur edhe gjatë periudhave kur zhvilloheshin negociata.

Në terren, situata mbetet e rëndë. Sulmet ajrore kanë goditur zona të banuara në Teheran, ku sipas raportimeve të CNN janë plagosur disa persona dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkohë, në Izrael, raketat iraniane kanë goditur zona urbane, duke lënë të plagosur civilë, mes tyre edhe fëmijë.

Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm në këto dy vende. Në Kuvajt, një sulm me dronë ka goditur një depo karburanti në aeroportin ndërkombëtar, duke shkaktuar zjarr dhe dëme të konsiderueshme. Sulme janë raportuar edhe në Liban, Irak dhe zona të tjera të rajonit, duke e kthyer konfliktin në një krizë të gjerë rajonale.

Një nga pikat më kritike mbetet Ngushtica e Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me naftë. Irani ka vendosur kufizime të forta për kalimin e anijeve dhe madje ka paralajmëruar tarifa për kalim të sigurt, duke rritur tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Trafiku detar është ulur ndjeshëm dhe janë raportuar të paktën 16 sulme ndaj anijeve që prej nisjes së konfliktit.

Pasojat ekonomike tashmë janë të dukshme. Çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm në nivel global, ndërsa në SHBA një gallon benzinë ka arritur në afro 4 dollarë, me një rritje prej mbi 1 dollar në vetëm një muaj. Edhe transporti ndërkombëtar është goditur rëndë, me anijet që shmangin zonat e rrezikshme dhe ndjekin rrugë shumë më të gjata, duke trefishuar kohën e dorëzimit dhe rritur kostot.

Ndërkohë, vende të ndryshme kanë filluar të marrin masa emergjente. Japonia ka njoftuar se do të çlirojë rezerva strategjike të naftës për të përballuar krizën, ndërsa Filipinet kanë shpallur gjendje emergjente për energjinë. Australia, nga ana tjetër, ka kufizuar hyrjen e shtetasve iranianë me viza turistike, duke reflektuar shqetësimet për sigurinë.

Në planin diplomatik, SHBA i ka paraqitur Iranit një paketë me 15 pika, që përfshin ndër të tjera ndalimin e programit bërthamor dhe kufizimin e kapaciteteve ushtarake. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për nisjen e negociatave direkte, ndërsa përflitet për një takim të mundshëm në Pakistan.

Ndërkohë, reagimet ndërkombëtare vijojnë. Kryeministri i Spanjës ka kritikuar ashpër SHBA-në dhe Izraelin, duke e cilësuar ndërhyrjen si “luftë të padrejtë dhe të paligjshme”, ndërsa liderë të tjerë kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Foto: AP

Konflikti ka sjellë edhe pasoja të rënda humanitare. Sipas të dhënave, qindra civilë kanë humbur jetën, mes tyre edhe shumë fëmijë, ndërsa mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)