Vetëm 24 orë përpara ndeshjes në Poloni, “Tifozat Kuq e Zi” konfirmuan se nuk do të jenë në stadium në mbështetje për Kombëtaren. Grupimi i organizuar, që prej dekadash ka qenë mbështetja e Shqipërisë në tribuna, ka reaguar publikisht duke akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për përjashtim të qëllimshëm nga shpërndarja e biletave për ndeshjen “play-off” në Varshavë.
“Edhe këtë herë, tribunat nuk do jenë si gjithmonë…, jo sepse mungon dashuria për Kombëtaren, por sepse dikush ka vendosur me vetëdije ta heshtë zërin e saj më të zjarrtë. Sepse për Federatën Shqiptare të Futbollit, nuk ka rëndësi kush e ndjen fanellën, rëndësi ka kush ka lidhje, kush është ‘i duhuri’, kush kalon nga dera e pasme. Zemra lihet mënjanë, shpërndahet vendi sipas interesit”, thuhej në deklaratën e shpërndarë.
“Tifozat Kuq e Zi” akuzuan mënyrën se si janë shpërndarë biletat. Sipas tyre, prioritet u është dhënë “miqve, klientëve dhe turistëve”, ndërsa tifozët më të zjarrtë janë lënë jashtë. Sipas grupit, kjo situatë nuk është rastësi, por lidhet edhe me qëndrimet e tyre kundër organizimit të Euro 2027 për 21-vjeçarë me Serbinë.
“Bileta ka, gjithmonë ka. Ka për miqtë, për klientët, për turistët… Madje agjencitë turistike prej javësh kanë nisur ofertat promovuese për Varshavën, me paketë të gatshme që përfshin edhe biletën e ndeshjes. Ku i morën këto bileta? Pse për ata që e kanë mbajt këtë ekip gjallë, me zë e me shpirt, nuk ka!? Dhe le ta themi qartë, ky përjashtim nuk është rastësi”, shkruhej më tej.
“Tifozat Kuq e Zi” paralajmëruan se mungesa e tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në atmosferën në stadium, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë gjithmonë një element kyç për Kombëtaren. Megjithatë, në fund të reagimit, ata i urojnë sukses ekipit kombëtar: “Kombëtares i urojmë fitore, sepse fanella është mbi gjithçka, dhe kjo largësi nuk është zgjedhje… është ‘zgjidhja’ e FSHF-së”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)