Më pak se një vit nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat dështuan të prodhonin një shumicë që mund të qeveriste e vetme dhe pas dështimit të forcave politike për t’u dakordësuar për një koalicion që do të udhëhiqte vendin, në Kosovë u takoi këtë të dielë qytetarëve që të vendosin sërish me votë për qeverinë që duan të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.
Duke nisur nga ora 07:00 deri në 19:00 të mbrëmjes qytetarët iu drejtuan kutive të votimit në 910 qendra gjithandej Kosovës, me 2,557 vendvotime në total.
Nga 1,999,024 qytetarë me të drejtë vote rreth 38.52 përqind e tyre e kanë shprehur vullnetin e tyre deri në orën 18:00, 60 minuta para mbylljes zyrtare të qendrave të votimit sipas shifrave të publikuara nga KQZ. Dalja më e lartë është shënuar në komunat me shumicë serbe, të pasuara nga rajoni i Prishtinës.
Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00.
Sakaq exit-pollet e para nxjerrin fituese partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas exit-pollit të UBO Consulting në bashkëpunim RTV Dukagjini, Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 45.7% të votave. Pas tyre e dyta në këto zgjedhje renditet PDK me rreth 22.0% të mbështetjes qytetare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me rreth 15.6% të votave, me partinë e drejtuar nga Lumir Abdixhiku që duket se ka shënuar një rënie të konsiderueshme nga rezultati i 9 shkurtit.
Rezultatet e sondazhit gjithashtu tregojnë një përqindje prej rreth 5.3% për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila parashikohet kështu të kalojë pragun zgjedhor, ndërsa sipas përllogaritjeve të UBO Consulting mbetet jashtë Kuvendit, Fatmir Limaj, me Nismën Socialdemokrate që parashikohet të marrë vetëm 1.7% të votave.
Sakaq, sipas exit poll-it të Albanian Post dhe Institutit "Source", Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 43.50% të votave, që përkthehet në 49 ulëse në Kuvend. Sa i përket partive të tjera ato ndahen në: PDK (23.60%), LDK (15.90%), AAK (7.20%).
Sipas exit-pollit të Pipos i cili u shfaq në Klan Kosova, fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 44.1% të votave. Ajo ndiqet nga PDK me 23.9%, më pas LDK që pretendohet të marrë 16.1%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.8% dhe Nisma Socialdemokrate me vetëm 1.1% të votave.
Në zgjedhjet e sotme garuan 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Tetë subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërsa pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)