Votojnë mbi 560 mijë qytetarë në Kosovë, ja sa ishte pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Kosovë ka arritur në 28% deri në orën 15:00.

28.12.2025. 16:10

Votojnë mbi 560 mijë qytetarë në Kosovë, ja sa ishte pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Kosovë ka arritur në 28% deri në orën 15:00. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në këtë orë kanë votuar rreth 564 mijë qytetarë, nga gjithsej 1.999.024 votues me të drejtë vote.

Këto zgjedhje konsiderohen tejet të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit, pasi qytetarët pritet të përcaktojnë nëse do t’i jepet fund krizës politike që ka përfshirë Kosovën prej disa muajsh. Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare të mbajtura në 9 shkurt të këtij viti nuk arritën të prodhojnë një shumicë të qartë për formimin e qeverisë së re.

Në një komunikim për mediat, kryetari i KQZ-së në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se procesi zgjedhor po zhvillohet i qetë dhe pa probleme madhore. Ai bëri të ditur se janë regjistruar disa raste të ndërprerjes së energjisë elektrike në qendra të ndryshme votimi, por këto ndërprerje kanë qenë të përkohshme dhe nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit.

“Procesi i votimit nuk do të ndërpritet. Ne do të sigurohemi që qytetarët të mos votojnë në errësirë. Nuk kemi gjeneratorë në të gjitha qendrat e votimit, por jemi siguruar që në vendet ku ka ndërprerje të energjisë të ndërhyhet me shpejtësi. Në disa raste ka pasur ndërprerje, por ato nuk kanë zgjatur shumë. Çdo veprim që mund të cënojë procesin na shqetëson, por i sigurojmë qytetarët se procesi do të vijojë normalisht dhe integriteti i votës nuk do të cënohet”, u shpreh Radoniqi.

Zgjedhjet e sotme po ndiqen me vëmendje të lartë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ndërsa pritet që pjesëmarrja të rritet deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)