Rreth tre javë pasi regjistruan një rezultat katastrofik në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka ardhur dorëheqja e parë nga kupola drejtuese, me nënkryetaren Hykmete Bajrami që ka njoftuar sot se largimi i saj nga posti në parti është i parevokueshëm.
Deputetja e LDK ka shkuar edhe më tej duke kërkuar në mbledhjen e kësaj të marte edhe dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, për t’i hapur në këtë mënyrë rrugën zgjedhjeve të brendshme, rinovimit të strukturave të partisë pas rezultatit të rëndë zgjedhor.
“Në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, deklaroi sot Hykmete Bajrami.
Më tej deputetja shprehet se pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, “prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme”.
LDK-ja u rendit forcë e tretë politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme të fundvitit në Kosovë duke lëshuar 8 mandate në krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)